A do të ketë një bashkëpunim Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për integrim para zgjedhjeve lokale?

Kësaj pyetje askush nuk i jep një përgjigje të plotë në asnjë nga selitë përkatëse por kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka lënë të kuptohet se partia e saj e kërkon një aleancë të tillë.

Në bashkëbisedimin me gazetarët, ajo nuk e mohoi se të dyja partitë politike mund të kenë kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Kryemadhi: LSI ka vendosur në punë strukturat për evidentimin e kandidaturave.

Pyetje: Do të keni kandidatura të përbashkëta me PD-në?

Kryemadhi: Po edhe mund të kemi.

Edhe pse të pozicionuar qartë në opozitë, për Kryemadhin bashkëpunimi me qeverinë për të mirën e vendit nuk ka asgjë të keqe dhe për këtë LSI e ka shembullin e fundit, bashkimin e votave me PS për miratimin e ligjit të vettingut në polici.

Kryemadhi: Ashtu si për ligjin e policisë qe ne dhamë 19 votat tona, për Vettingun që duhet bërë në rradhët e policisë, për rifunksionimin e policisë kanë qenë të hapura, ashtu do të jetë  për çdo gjë që ka të bëjë në ndihmë të qytetarëve.  

Një pjesë e mirë e shqiptarëve mund të kenë harruar momentin kur kryetarja e LSI-së hoqi çizmen në parlament dhe ia drejtoi kryeministrit, por vetë ajo nuk e ka harruar.

Mes batutave, Kryemadhi tha se kur të jetë 104-vjeçe, nipërit do ti kërkojnë llogari se nuk e goditi mirë kreun e qeverisë.

Kryemadhi: Kur unë të jem 104 vjeçe ne do të jemi pothuajse si europianët dhe jam e bindur që stërnipërit dhe stërmbesat e mia do më thonë: Tu thaftë dora që ajo çizmja jote nuk i ra në kokë Edi Ramës që ta shkundte pak nga trutë dhe të bënte diçka të mirë për këtë vend.




/Ora News.tv/