Nxitimi i partisë Bindja Demokratike për tu regjistruar në gjykatë dhe në KQZ për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit, është pasuar dhe me një tjetër veprim që sipas PD është antiligjor. Kuvendi ka lëshuar një vërtetim ku shkruhet se Andi Permeti është betuar në 25 prill 2019 dhe zotëron mandatin e deputetit të paktën 6 muajte fundit. Pikërisht ky citim është konsideruar i paligjshëm prej selisë blu.

Ivi Kaso: Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazëm të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit. 

PD ka paditur për shpërdorim detyre sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj që ka firmosur dokumentin. Gjithashtu ka paralajmëruar anëtarët e KQZ dhe KZAZ-ve që do të mbajnë përgjegjësi penale për çdo shkelje të ligjit me kandidatë të regjistruar me dokument fals.

Ivi Kaso: PD informon opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pasqyrimin e të dhënave të pavërteta në dokumente zyrtare.

Sipas ligjit për tu regjistruar në zgjedhjet vendore, një kandidat duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajit e fundit. Në të kundër duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë ku kandidon.

Në përgjigje të akuzave të PD, për regjistrim të falsifikuar, Astrit Patozi thekson se partia e tij mbështetet nga dy deputetë. Andi Përmeti dhe Lefter Koka, madje duke publikuar një dokument të firmosur nga ky i fundit.

Por, për PD edhe rasti i Kokës është i papranueshëm, pasi nuk është deputet i Bindjes.

/Ora News.tv/