PD: Kompania fituese e Teatrit i paguan hotelin në Barcelonë Maznikut, 908 euro nata
Partia Demokratike akuzoi bashkinë e Tiranës se prej katër vitesh hapësira publike të kryeqytetit i ka vendosur në dispozicion të kompanive të oligarkëve të afërt me pushtetin e Rilindjes duke u kthyer në kantier të abuzimit me pronën dhe taksat e shqiptarëve.
Ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, tha se shembulli më i qartë është ai i kompanisë fituese për godinën e re të Teatrit Kombëtar.
Çupi: Në bazë të të dhënave zyrtare, Fusha shpk për periudhën 2014-2019 ka përfituar 145 tendera me vlerë 12.1 miliard lekë ose rreth 101 milion euro, nga të cilat, 85 me një operator në garë.
Përfaqësuasja e Partisë Demokratike theksoi se biznesmenët përfitues nga lejet i kanë paguar hotelin në Spanjë nënkryetarit të bashkisë, Arbjan Mazniku.
Çupi: Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro. Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit.
PD akuzoi qeverinë e kryeministrit Rama dhe bashkinë e Tiranës se pushtetin e kanë shndërruar në një sistem grabitjeje dhe vjedhjeje.


