Valdrin Pjetri nuk jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Bashkisë dhe as Prokuroria nuk përshpejton hetimet ndaj tij, pasi sipas Partisë Demokratike është kryeministri Edi Rama që nuk i lejon.

Nga selia blu Çlirim Gjata u shpreh se qëllimi është marrja e Bashkisë së Shkodrës.

Gjata: Përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen drejtpërsëdrejti me planin e Edi Ramës për të përdorur trafikantin e drogës derisa, në mënyrë të paligjshme, të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës. Është ky skenar pse trafikanti I drogës Valdrin Pjetri ndalohet të japë dorëheqjen para betimit, pse prokuroria po e zvarrit verifikimin, pse ligji antimafia nuk vepron.

Madje Gjata duke paraqitur pamje të një hoteli që sipas tij i përket Pjetrit ikërkon zbatimin e ligjit antimafia.

Gjata: Pasuria më e dukshme e Valdrin Pjetrit, është një hotel superluksoz në periferi të Tiranës, i inauguruar me praninë e ministres së Edi Ramës.  Sipas Ligjit Antimafia, Valdrin Pjetri është subjekt i drejtpërdrejtë i tij, pasi siç shprehet ligji subjekt i ligjit është çdo person për të cilin ka indicie se:ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.  Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane, të cilat janë publikuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike.

Të martën PD publikoi dokumente se Pjetri ishte dënuar në Itali për trafik lëndësh narkotike. Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi është shprehur se i zgjedhuri në Shkodër në atë kohë e pranoi akuzën dhe se pas kësaj u dëbua nga Italia.

/Ora News.tv/