Partia Demokratike ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Energjisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri në lidhje me koncesionin për inceneratorët e djegies së mbetjeve. Kërkesa drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, është nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, për seancën e 14 shkurtit.

"Muajt e fundit, Partia Demokratike, mediat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë bërë publike një sërë dokumentesh që ngrenë hije dyshimi mbi koncesionet e dhëna nga qeveria për inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë", thuhet në letër.

Gjithashtu, Spaho thotë se njëra prej kompanive që ka fituar koncesionin e "inceneratorëve është e regjistruar në Parajsat Fiskale të Vendeve të Ulëta (Holandës) duke shtuar edhe më dyshimin për një aferë korruptive që do të ketë pasoja të rënda jo veç në financat e buxhetit të shtetit, por edhe në shëndetin e shqiptarëve".

Spaho thotë se kompanisë për impiantin e mbetjeve në Fier i janë dhënë 5.2 milionë euro, ndërsa ajo nuk ka filluar ende punë, ndërsa shton se OSHE-së do të detyrohet t'i blejë energjinë me një çmim të përcaktuar nga ky ent dhe rrjedhimisht sipas tij, do të ketë rritje të energjisë për qytetarët.

"Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me një çmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun", thuhet gjithashtu në letër. 

/Ora News.tv/