Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 4 marsit e dorëheqjes së liderit të saj Matteo Renzi, Partia Demokratike Italiane ka mbledhur sot në Romë kryesinë e saj drejtuese.

Në këtë mbledhje u zyrtarizua dorëheqja e Matteo Renzit, vendin e të cilit deri në zgjedhjen e liderit të ri do ta zërë zëvëndës/kryetari aktual i PD-së, Maurizio Martina.

Me anët të kryetarit të përkohshëm të saj Partia Demokratike i është përgjigjur apelit të liderit të Forza Italias, Silvio Berlsuconi, për t'iu bashkuar koalicionit të së djathtës në krijimin e qeverisë së re.

"Humbja jonë në këto zgjedhje qe e thellë, është shprehur Maurizio Martina. Respektojmë forcat politike që i fituan zgjedhjet, të cilëve u takon dhe krijimi i qeverisë së re. Partia Demokratike do të jetë në opozitë. Respektojmë votën e të gjithë italianëve e do të jemi koherentë ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Do t'u shërbejmë qytetarëve italianë në opozitë e në rolin e minorancës parlamentare."

Maurizio Martina të cilit i është besuar dhe drejtimi i Partisë Demokratike deri në zgjedhjen e lideri të ri të saj, i ka mbyllur kështu dyert si Lëvizjes 5 Yje ashtu dhe koalicionit të djathtë për një aleancë të mundshme qeverisëse.

"Humbja e PD, qe e qartë e pa ekuivoke, tha ai, nuk kërkojmë as koka turku as rrugë të shkurtra. Secili nga ne mban përgjegjësi për këtë humbje e nga e cila duhet të mësojmë shumë."

Linja e ndjekur nga Partia Demokratike pas mbledhjes së sotme të kryesisë së saj është po ajo e përcaktuar ditë më parë nga lideri i saj dorëheqës Matteo Renzi, i cili ka deklaruar se "nuk do të pranoj kurrë që Partia Demokratike të jetë paterica qeverisëse për forcat e tjera politike".

"Dhashë dorëheqjen si kryetar por nuk heq dorë nga Partia Demokratike, është shprehur sot me një komunikim mediatik , Matteo Renzi. Kemi humbur një betejë por jo dëshirën për të luftuar për një botë më të mirë!"

Linja renziane e Partisë Demokratike propozon krijimin e qeverisë së re mes aleancës së 5 Yjeve me Lidhjen e Matteo Salvinit.

Një qeveri e tillë do të spostonte Lëvizjen 5 Yje mjaft pranë së djathtës italiane, duke i dhënë kështu mundësi PD-së të rikuperojë votat e saj të humbura në zgjedhjet e 4 marsit.

Sipas analizave politike, në zgjedhjet e fundit mbi 16 % e zgjedhësve të Partisë Demokratike të zhgënjyer nga qeverisja e saj, kanë votuar Lëvizjen 5Yje.

/Ora News.tv/