Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi se kryeministri Edi Rama, i frikësuar urdhëroi policinë që të përhapte panik për protestën e 16 shkurtit.

Bardhi: Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi, zemërimi dhe revolta e shqiptarëve, Edi Rama, i vetmuar, shfaqi sot gjithë pasigurinë dhe frikën e tij, kur urdhëroi Policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 shkurt.

Ai deklaroi se demokratët do të protestojnë si njerëz të lirë dhe me dinjitet, ndërsa paralajmëroi policinë që të rrijë larg protestuesve.  

Bardhi: Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore! Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.

PD-ja thotë se kryeministri ka vetëm një detyrë; t’i hapë rrugë zgjidhjes politike!

Bardhi: I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi, njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar! Ftojmë shqiptarët të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi dhe korrupsioni!

Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Endri Braimllari, tha se Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës, ndërsa e paralajmëroi atë që të heqë dorë nga provokimet në protestën e ditës së shtunë.

Braimllari: Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës i cili ka treguar publikisht se nuk është në krah të oficerëve të ndershëm të policisë, por në krah të krimit të organizuar. Paralajmërojmë Edi Ramën, të mbajë larg provokatorët nga protesta e ditës së shtunë. I vetmi person që kërkon të destabilizojë është Edi Rama. Këtë, ai e ka vetëprovuar. Policia e Shtetit nëse ka informacion për elementë me rekorde kriminalë, t'i luftojë dhe t'i godasë me forcën më të madhe, çdo ditë. Sot, nesër dhe pasnesër. 

 

/Ora News.tv/