Në Mallakastër kryetari aktual i Bashkisë, Agron Kapllanaj, ka deklaruar se nuk do të jetë prezent gjatë ceremonisë që pritet të organizohet për dorëzimin e mandatit, por nuk ka shfaqur kundërshti për mos lirimin e zyrës së kryebashkiakut.

Edhe pse nuk e njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh, por votimesh, kreu aktual i bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, pranon faktin që pas pak ditësh bashkia do të drejtohet nga kandidati i Partisë Socialiste, i shpallur fitues në 30 qershor.

Gjatë inspektimeve të bëra për investimin e rrugës në fshatin Qendër, Kapllanaj thote se ky proces është farsë, ndërsa ka theksuar se nuk  do të jetë pjesë e ceremonise që pritet të organizohet për dorëzimin e mandatit.

Kapllanaj: Padiskutim që unë nuk do të jem në atë ceremoni që do të organizojë PS për ti dhënë drejtimin e bashkisë të emëruarit të vet. Nuk mund të jem, nuk mund ti dorëzoj shiritin një njeriu që nuk e kanë votuar mallakastriotët, për më tepër në një palë votime të kundraligjshme, të zhdekretuara nga presidenti i Republikës.

Sipas Kapllanajt, zgjedhjet në Shqipëri do të ribëhen.

Kapllanaj: Do të kenë përballë konkurentë të cilët do të garojnë dhe në përfundim të zgjedhjeve ai që do të fitojë do të marrë mandatin.

Pavarësisht në ditët e fundit të mandatit, Kapllanaj është shprehur se puna vijon në fshatin Qendër, një zonë që ai e ka cilesuar si të lënë pas dore.

Pritet që pas katër ditesh, Qerim Ismailaj, fituesi i 30 qershorit, të mandatohet në krye të bashkisë Mallakastër, bashkia e fundit që pritet të konstituohet në qarkun e Fierit.




/Ora News.tv/