Djegia e materialeve zgjedhore 3 ditë para 30 qershorit në KZAZ nr 6 në Vaun e Dejës ka përplasur sërish Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Partinë Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur për zëvendësimin e fletëve të votimit, ndërsa akuzat i cilësoi të padrejta.

Hoxhaj: KQZ ka kontaktuar me kompaninë sllovene për të prodhuar sërish fletët e votimit për KZAZ-në nr. 6, dhe fletët e votimit janë prodhuar paraditen e datës 28.06.2019. Transporti i fletëve të votimit është bërë në datën datën 29.06.2019 dhe kanë kaluar Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, rreth orës 01:30-02:00 të mëngjesit të datës 30 qershor 2019. Mjeti që transportonte fletët e votimit u regjistrua në sistemin TIMS të Policisë Kufitare në orën 01:58 minuta

Menjëherë pas kësaj, Sekretari për çështjet zgjedhore në PD Ivi Kaso reagoi duke e cilësuar deklaratën një mashtrim, ndërsa KQZ një organizatë kriminale.

Kaso: Gjithçka u tha sot nga KQZ për prodhim dokumentash me dorë nga vartësit e Edi Ramës në dogana, është njësoj si prodhimi i të dhënave fallco nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në zgjedhje. Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale.  Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit.

Më herët, Partia Demokratike e ka cilësuar proçesin e votimit në këtë bashki jokushtetues, ndërsa theksoi se edhe pse të vetëm në zgjedhje, PS vijon ta manipulojë këtë poçes, njësoj si në vitet e shkuara.

/Ora News.tv/