Prej vitesh, mungesa e mjekëve gjinekologë, i kishte detyruar gratë matjane të drejtoheshin drejt Lezhës apo Tiranës për të sjellë në jetë fëmijët. Nga 1 janari, Ministria e Shëndetësisë dërgoi në Spitalin e Burrelit, mjekë gjinekologë nga Tirana, duke nisur kështu edhe sistemin e patronazhimit , i cili do të shtrihet në çdo spital të vendit, ku mungojnë specialistët.

Për 6 muaj, mjekë obstetër-gjinekologë nga Materniteti “Koço Gliozheni” i Tiranës, do të ofrojnë shërbime mjekësore në Spitalin e Burrelit. Mjeku gjinekolog, pranë këtij materniteti, Vezir Tena, ka qenë pjesë e grupit të parë të mjekëve që u nisën drejt Burrelit, për të pritur rastësisht edhe lindjen e parë në spital me qirinj.

Tena thotë se mungesa e mjekëve specialistë në Spitalin e Burrelit, ishte shndërruar në ankth jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për personelin shëndetësor, të cilët duhet të vendosin në kushte të vështira për rastet që nuk mund të trajtoheshin dot në atë spital.

Për shkak të largësisë, vështirësisë ekonomike, gratë e Burrelit, Klosit, Matit, e kishin pasur të pamundur të kryenin edhe vizita të thjeshta gjinekologjike. Vetëm në ditët e para të shërbimit nga mjekët e Maternitetit “Koëo Gliozheni” në Spitalin e Burrelit, janë kryer dhjetra ekografi dhe konsulta, disa lindje, ndërsa është vënë re një interesim i madh nga e gjithë zona e Matit për të kryer vizita dhe ekografi.

Një tjetër ekip mjekësh nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë kanë udhëtuar drejt Gjirokastër, ku kanë kryer edhe një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale, e cila nuk ishte realizuar më parë në spitalin e këtij qyteti, ndërsa realizuan edhe disa vizita të grave shtatzëna dhe të fëmijëve të porsalindur.

Për drejtuesen e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj, sistemi i patronazhimit do të jap ndihmë në dy drejtime: së pari, do t’i ofrojë shërbim qytetarëve pranë qytetit të tyre, nga ana tjetër, do të ndikojë në edukimin në vazhdim për mjekët e spitaleve rajonale, që rrjedhimisht përkthehet në rritje të cilësisë së shërbimit.

Por megjithë ndihmën e mjekëve nga spitalet universitare në rrethe, Demaliaj thekson se rastet e komplikuara, të referuara nga mjekët e spitaleve rajonale do të vijojnë të trajtohen në Tiranë. Brenda një viti, vetëm në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” priten mbi 700 lindje.  

Njëzëri mjekët besojnë se patronazhimi është vendimi i duhur, për një periudhë të përkohshme. Shpresa për të zgjidhur këtë situatë, ku nga jugu në veri, mungojnë mjekë të ndryshëm specialistë, si nefrolog, neurolog, anestezist, janë specializantët e rinj.  Nga ana tjetër, drejtuesit e Sindikatës së Mjekëve, kërkojnë që qeveria të gjejë një strategji të re për motivimin e mjekëve, që të ndalet eksodi i bluzave të bardha. Gjithashtu, për sindikatën, duhet të rikthehet stazhi i punës në vendlindje pas përfundimit të specializimit.

Fluksi nga rrethet, ka bërë që spitali “Nënë Tereza”, të përballet me një mbingarkesë të madhe pacientësh, duke mbajtur kështu peshën e gjithë spitaleve të vendit. Përjashtuar urgjencat dhe rastet e rekomanduara për trajtim të specializuar, qytetarët jo vetëm nga rrethe të largëta, por edhe pranë kryeqytetit, dynden në QSUT, të bindur se në Tiranë mjekët janë më të mirë. 

Për të thyer skepticizmin e popullatës, Demaliaj thotë se mjekët duhet të punojnë që qytetarët të binden se bluzat e bardha ofrojnë të njëtin cilësi shërbimi edhe në qytetet e tyre, jo vetëm  në spitalet universitare.

Sistemi i patronazhimit pritet të nxjerrë në pah edhe eficencën e spitaleve rajonale, ku shumë prej tyre, veëanërisht ato në nivel bashkiak, nuk ofrojnë shërbime të plota shëndetësore, duke u shndërruar thjesht në qendra për ndihmën e parë. Në këto kushte, sipas Sindiaktës, patronazhimi do të shërbejë edhe për forcimin e punës në spitalet e rretheve, e ku mjekët nuk duhet ta shohin më zgjidhjen edhe për raste të thjeshta në Tiranë.

Që spitalet rajonale të ofrojnë shërbimin e duhur nevojitet edhe pasja e aparaturave, çka nuk do t’i detyronte më qytetarët t’i drejtoheshin Tiranës apo spitaleve më të afërta private. Po kështu, një tjetër problem për pacientët, është edhe mungesa e vazhdueshme e ilaçeve veçanërisht atyre të shtrenjta që përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Sindikata kërkon që të forcohet shërbimi shëndetësor në spitalet publike sepse jo të gjithë qytetarët kanë mundësi të përballojnë shërbimin në privat. Ndaj sipas sindikalistëve,  mjekët duhet të heqin dorë nga dypunësimi.

Sistemi i patronazhimit do të shtrihet në të gjitha spitalet ku ka mungesa të mjekëve specialistë deri në plotësimin e nevojave me mjekët e rinj specilalistë. Krahas sistemit të patronazhimit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të japë bonus 2.5 milion lekë mbi pagën për mjekët specialsitë që janë të gatshëm të punojnë në spitalet rajonale dhe bashkiake, për të ofruar shërbim mjekësor për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit.

Tashmë që sistemi shëndetësor është futur në patronazhim, për të ofruar shërbimet e munguara në çdo spital rajonal, me sytë nga mjekët pacientët presin të gjejnë zgjidhje në qytetin e tyre, për t’i dhënë fund kalvarit të mundimeve dhe burokracive për të ardhur në Tiranë. 

/Ora News.tv/