Pasi i hapi luftë Kinës, SHBA hidhet tek Japonia, Britania dhe BE për marrëveshje tregtare

Pasi i hapi luftë Kinës, SHBA hidhet tek Japonia, Britania dhe BE

SHBA thotë se synon të negociojë tri marrëveshje të veçanta tregtare me Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE.

Për këtë do të duhen disa muaj përpara se të fillojnë negociatat.

Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për të riformuar politikat tregtare për të mbështetur axhendën e tij "Amerika e para".

Deklarata vjen në një kohë që SHBA është përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, ekonominë e dytë më të madhe në botë.

"Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë tregtinë dhe investimet e SHBA duke negociuar marrëveshje tregtare me Japoninë, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar," tha përfaqësuesi tregtar i SHBA-së,  Robert Lighthizer.

"Jemi të angazhuar për t'i përfunduar këto negociata me rezultate në kohë dhe substanciale për punëtorët amerikanë, fermerët dhe bizneset".

SHBA planifikon të fillojë negociatat me Japoninë, ekonominë e tretë më të madhe në botë, "sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më herët se 90 ditë nga data e këtij njoftimi", shkroi zoti Lighthizer në një letër drejtuar Kongresit.

Negociatat me Mbretërinë e Bashkuar do të fillojnë "sapo të jetë gati" pasi ajo të largohet nga Bashkimi Europian në mars 2019, tha ai.

Qëllimi është që "të adresohen barrierat tarifore dhe jotarifore" dhe për të arritur tregtinë e lirë, të drejtë dhe reciproke ", tha z. Lighthizer.

Preferenca e z. Trump për marrëveshje dypalëshe mbi ato shumëpalëshe është pjesë e një politike tregtare më proteksioniste që ai ka ndërmarrë që nga marrja e detyrës në vitin 2016.

Ai nxori Shtetet e Bashkuara jashtë Marrëveshjes së Partneritetit Trans-Pacific në fillim të administratës së tij dhe ka rinegociuar një marrëveshje tregtare midis SHBA, Kanadasë dhe Meksikës.

Lufta tregtare e zotit Trump me Kinën vazhdon të përshkallëzohet, me kompanitë që tashmë e ndjejnë presionin dhe ekspertët që paralajmërojnë se kjo do të dëmtojë rritjen globale.

EMISIONET