Pas transmetimeve të emisionit "BOOM" kanë nisur edhe reagimet e para në Teatrin Kombëtar të Kukullave.

Drejtoresha e këtij institucioni, Monika Lubonja, pranon se përgjegjësja e trupës artistike e cila u regjistrua nga kamerat duke marrë para pa kontratë të rregullt ka paraqitur dorëheqjen.

Monika Lubonja: U njoha me materialin dhe tani sigurisht jam në ndjekje të kësaj gjëje, jam duke bërë dhe unë hetimet e mia brenda institucionit.Do të ngrihet një grup pune për të verifikuar çdo gjë dhe pastaj ne patjetër do të kemi dhe një dalje. Përgjegjësja e sektorit ka kërkuar dorëheqjen, sigurisht që unë e kam pranuar, e kam ngrirë deri në zbardhjen e kësaj gjëje.

Drejtoresha është munduar të justifikojë lënien e çelësave të institucionit në dorën e një gazetashitësi, duke pohuar se kontrata me të ka qenë deri në dhjetor të 2017.

Por regjistrimet e "BOOM" janë të janarit 2018, dhe vetëm të pak ditëve më parë.

Monika Lubonja: Faktikisht nëpër institucione duhet gjithmonë një urdhër kur futesh, jo tek unë vetëm, unë jam shumë e hapur sepse nuk kam asgjë që të mos hyni ju ose të tjerët, por më vjen keq nga një anë kur njerëzit janë të sëmurë. Ajo ka paraqitur një raport, është dy javë në spital dhe në këto momente, në këto raste si rëndom edhe ju në familjen tuaj, si dhe ju në punën tuaj, si dhe unë në punën time do të gjejmë një njeri të përkohshëm sa të vijë zonja në punë. Të jeni miliard për qind të sigurtë, unë kam bërë tmerrësisht për këtë institucion. Mua nuk më është cënuar dhe nuk do të më cënohet asgjë kur unë kam punuar me një dashuri të madhe dhe pasion në këtë institucion. Gazetashitësi ka qenë punonjës sezonal i punësuar në institucionin tim. Kam të drejtë unë të marr sezonal.I ka mbaruar kontrata në fund të dhjetorit. Atë ditë e kam nxjerrë unë dhe për këtë mbaj përgjegjësi.


Emisioni "BOOM" ka vijuar me denoncimin e skandaleve në institucionet artistike, këtë rradhë në Qendrën e Kulturës, ku sërish është drejtoreshë zonja Monika Lubonja.

Bëhet fjalë për një tender kupash me rastin e 70 vjetorit të qëndrës dhe biletave të paregjistruara shpërndarë për këtë eveniment.

"BOOM" insistoi edhe pranë Ministrisë së Kulturës për një reagim të këtij institucioni nga i cili varet Teatri i Kukullave dhe Qendra për Fëmijë, por si zakonisht burokracia kërkon dhjetë ditë për të lexuar pyetjet. Ndaj po i përsërisim, të jenë për çdo rast.

- Emisioni BOOM përmes trasmetimit të tij dy ditor ka përcjellë një skemë të pastër korrupsioni në lidhje me blerjen e një shfaqeje nga ato të  repertorit të Teatrit të Kukullave për aktivitet privat.Cili është qëndrimi i Ministrisë së Kulturës në lidhje me rastin dhe masat e marra?

- Siguria e institucionit vihet në diskutim kur ai që mban çelësat e derës së teatrit është gazetashitësi aty pranë dhe fikset e zjarrit nuk janë kolauduar prej dy vjetësh. Cila është arsyeja për të dyja rastet?

-Sa kohë ka Teatri i Kukullave që nuk ka vënë në skenë një premierë dhe pse?

-A është konfirmuar në krye të Tetarit të Kukullave për mandatin e dytë, drejtoresha e këtij institucioni Monika Lubonja dhe cila është procedura e ndjekur?

Mbetet për të parë serioziteti i institucioneve, pra nëse ato reagojnë përherë, apo vetëm kur ka sinjale në shqipëriaqëduam.al.


/Ora News.tv/