Pas ceremonisë për Kostandin Kaçifas, grekët bllokojnë aksin Gjirokastër-Kakavijë

Një karvan i gjatë makinash kanë bllokuar aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë.

Pas ceremonisë së varrimit të Kostandin Kaçifas të zhvilluar në fshatin Bularat, dhjetëra makina dhe rreth 500 persona të ardhur nga Greqia kanë bllokuar aksin rrugor duke protestuar me të njëjta thirrje të lëshuara edhe gjatë ceremonisë mortore.

Gazetarja e Ora News në Gjirokastër, Entiola Budo, bën me dije se mjetet presin prej rreth një ore në të dyja akset e rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë dhe nuk dihet ende se kur do të zhbllokohet situata.

Mësohet se gjatë gjithë ceremonisë ka pasur vetëm efektivë me veshje civile.

Vetë banorët thonë se bllokimi i rrugës ishte planifikuar duke bërë thirrje për drejtësi për shtetin shqiptar.

Nga ana tjetër, policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë identifikuar organizatorët e bllokimit të rrugës dhe priten arrestime në radhët e protestuesve.

Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është zhbllokuar me ndërhyrjen e forcave të rendit.



EMISIONET