Tre aleatë të Partisë Demokratike kanë kërkuar nisjen e procesit për zhvillimin e votimeve në 13 tetor. Kërkesa nuk është firmosur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili shprehet se secila forcë vendos nëse merr pjesë apo jo në zgjedhje. Kërkesa e opozitës do të diskutohet të shtunën me propozim të Klement Zgurit, por kundërshtohet nga 4 anëtarët e tjerë të mazhorancës.

Dekreti i presidentit, Ilir Meta, për zhvillimin e zgjedhjeve vendore ne 13 tetor nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare.

Partitë aleate të PD-së kanë zgjedhur një tjetër rrugë për të vënë në veprim KQZ. Përmes një shkrese zyrtare, Partia Agrare Ambientaliste, PR dhe LSI kërkojnë nisjen e procedurave për zhvillimin e votimeve.

Shkresën e ka dorëzuar në institucion nënkryetarja e PR-së, Brunilda Laboviti.

3 partitë parlamentare, por pa firmën e kryetarit të Partisë Demokratike, në dokument shprehen se  votimet e 30 qershorit janë të pavlefshme, ndaj dhe kërkojnë nisjen e përgatitjeve për 13 tetorin.

Duket se opozita ende nuk është e unifikuar. Burimet në PD kanë nënvizuar se në takimin e realizuar mbrëmjen e së enjtes me aleatët, kreu i selisë blu Lulzim Basha ka deklaruar se KQZ ka detyrimin ligjor që të nisë procedurat, por duke theksuar se është e drejta e partive që më pas të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo.

Madje edhe një herë ai është shprehur se nuk tërhiqet nga kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama si kusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

KQZ vendos nesër

Zyra për shtyp e KQZ në orën 13:27 njoftoi se Komisioni do të mblidhet të shtunën (3 gusht) ora 10:00 për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i anëtarëve të mazhorancës në KQZ. 4 anëtarët socialistë të kontaktuar nga RTV Ora janë shprehur se nuk do të jenë në mbledhje, madje disa prej tyre duke saktësuar se janë me pushime. 

Kodi zgjedhor parashikon se subjektet politike mund të regjistrohen si pjesëmarrëse në zgjedhje 70 ditë para datës së dekretuar prej presidentit , ku afati përfundimtar është 4 gushti.

/Ora News.tv/