Parlamenti e shkarkoi si anëtar të AMA-s, Bregu: Lufta politike po synon territore të reja

Parlamenti e shkarkoi si anëtar të AMA-s, Bregu: Lufta politike po

Menjëherë pas miratimit të paketës antishpifje, ditën e sotme Parlamenti miratoi shkarkimin si anëtar të AMA-s, pedagogun Zylyftar Bregu.

Kjo ka sjellë reagimin e këtij të fundit, i cili argumentin e shkarkimit të tij nga detyra e ka quajtur " argument të sforcuar për konflikt interesi".

Sipas Bregut, Rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar.

"Një ditë pasi Qeveria miratoi paketën që synon të rregullojë regjistrimin e platformave elektronike (ose paketa anti-shpifje), Kuvendi miratoi me 81 vota shkarkimin tim si anëtar i AMA-s, me një argument të sforcuar për konflikt interesi!
Të dyja këto akte politike kanë një lidhje!
Në kuadrin e këtij projekt-ligji që rëndon pozitën e gazetarëve në veçanti dhe shton kontrollin mbi informacionin në tërësi, rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar!
Për transparencë jam zgjedhur në këtë post (për mandatin e dytë radhazi) në korrik të vitit 2016, nga maxhoranca e atëhershme (PS-LSI). Edhe pse gjatë votimit plot 99 deputetë votuan pro kandidaturës, numër që është përtej kësaj aleance!"

Më tej Bregu shkruan:"Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!
Sebepi është marrja e një sipërfaqe toke me qera, për të cilën Kuvendi anashkaloi institucionin e posaçëm që shqyrton konfliktin e interesit (ILDKPI/ Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave)".

Pedagogu Zylyftar Bregu ka paralajmëruar se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë gjyqësore gjyqësore për të fituar të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin.

"Sigurisht, siç e kam argumentuar edhe para Komisionit të Medias, unë do të ndjek rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin, duke premtuar edhe vazhdimin e angazhimit tim qytetar, shoqëror dhe administrativ!"

 

EMISIONET