Në zonën e Liqenit Artificial është krijuar një park i ri i emërtuar "Parku i Miqësisë Shqipëri-Izrael". Në vlerësim të marrëdhënies mes dy vendeve, Veliaj tha se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fusha si inovacioni dhe bujqësia. 

Dita e Pavarësisë së Izraelit në Tiranë u festua me përurimin e "kopshtit të miqësisë Shqipëri-Izrael", ku Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Izraelit mbollën 70 fidanë të rinj.

Kryebashkiaku Veliaj, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin dhe kryetarja e grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael, Blerina Gjylameti, iu bashkuan aksionit të mbjelljes së pemëve dhe zbuluan një pllakatë në shenjë përkujtimi.

Ambasadori: Para se të fillojmë vitin e ri shkollor, do të rinovojmë me bashkinë një nga shkollat e Tiranës dhe gjithashtu, vendosëm të rreshtohemi në krah të bashkisë në përpjekjen për ta bërë këtë qytet më të gjelbër, duke mbjellë 70 pemë sot.

Gjylameti: Ajo që duam është të shkëmbejmë një eksperiencë, e cila do të vazhdojë sidomos në fushat e inovacionit, teknologjisë apo edhe të agroteknologjisë, që do të na shërbejë shumë. Besoj që do t’ia dalim që edhe Tiranën ta bëjmë një vend shumë herë më të mirë nga ai që ka qenë. Kjo është ajo që na ka bashkuar gjithmonë, jo vetëm sot për sot, por të ndërtojmë një Shqipëri që të jemi krenar edhe nesër kur fëmijët tanë të jenë më të rritur.

Për rekomandimin që KE dha për Shqipërinë për çeljen e negociatave, Veliaj tha se vendi  nisi një fazë të re të integrimit në familjen evropiane që kërkon një angazhim dhe energji e përbashkët për të vijuar progresin.

 Veliaj: Teksa përgatitemi për një fazë të re të integrimit të Shqipërisë në BE, ajo që kemi kuptuar është që nën shembullin e Izraelit, po të bëhemi bashkë dhe të punojmë për një qëllim, mund të bëjmë çudira dhe nga situata që kemi trashëguar në vendin tonë. Sot jemi shërbëtorë dhe administratorë të kësaj cope të atdheut dhe mundohemi që të gjithë të fokusuar në një qëllim, të kemi energji të përbashkët për progres, për modernizim dhe zhvillimin e vendit tonë.

Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, Bashkia e Tiranës do të shtojë bashkëpunimin me Jeruzalemin dhe disa qytete të Izraelit në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të bujqësisë.

/Ora News.tv/