Dita e Europës në Tiranë u festua me përurimin e “Parkut të Europës”. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, Ambasadorja e BE Romana Vlahutin si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në vendin tonë mbollën pemë në lulishten  e re pas monumentit të Heroit Kombëtar në sheshin “Skënderbej”  duke sjellë një copëz Europe në zemër të Tiranës.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky park i ri përfaqëson ambicien europiane të qytetarëve të vendit tonë. “

Arsyeja pse e ka Parku Europa është se është ngjitur me Sheshin Skëndërbej, sepse unë besoj që ambicia jonë europiane daton që në kohën e Skënderbeut ose ndoshta edhe më tej. Edhe nga ana e urbanistikës, pjesën e zhurmës, të qejfit dhe rrëmujës e kemi në shesh, pjesën e paqes dhe qetësisë dhe të rregullit e kemi te Parku i Europës. Besoj se është një metaforë e bukur e asaj që përfaqësojnë të dy shoqëritë tona komplementare. Mezi pres që teksa shkëmbejmë shumë me njërit-tjetrin dhe të gjitha projektet që kemi me këtë qytet dhe vendet tuaja, të fillojmë dhe t’ju ngjajmë më shumë për mënyrën sesi menaxhojmë këtë copë të Shqipërisë Europiane që ne administrojmë në Tiranë”, tha Veliaj, teksa shtoi se kthimi i këtij sheshi dhe i kësaj hapësire që kanë qenë para deri një viti hapësira më e madhe për makinat, është tashmë një hapësirë e dedikuar totalisht për njerëzit.

 

Kreu i Bashkisë deklaroi se Tirana është në avangardë të integrimit evropian të Shqipërisë dhe se transformimi i saj në një qytet evropian është përmbushja e ambicies tonë evropiane. “Unë besoj se është në ndërgjegjen, në psikozën por edhe në mentalitetin e këtij qyteti që të jetë avangardë e integrimit evropian të Shqipërisë. Për ne Europa është një udhëtim brenda vetes, do të thotë për ne si qytetarë të Tiranës transformimi i Tiranës në një qytet evropian është në fakt përmbushja e ambicies tonë evropiane. Teksa po flisnim me disa nga ambasadorët për transportin elektrik, për korsitë e biçikletave dhe më shumë hapësira pedonale, është pjesë e ambicies tonë që ne ta transformojmë këtë qytet në një kartolinë evropiane të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj nënvizoi se edhe vetë Bashkia e Tiranës përfaqëson në një farë mënyre Bashkimin Europian, pasi shumë prej atyre që sot punojnë për të implementuar projekte të ndryshme në qytet kanë sjellë sëbashku eksperiencat e tyre si studentë apo emigrantë në Europë. “Besoj që secili do të ketë mundësi të bëjë një shëtitje të vogël dhe të shikojë ku është flamuri i secilës prej vendeve anëtarëve. E gjithë fasada jonë siç e shikoni është dekoruar me të gjithë flamujt e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fakt fasada nuk u përfaqëson ju më shumë sesa na përfaqëson ne. Një pjesë e konsiderueshme e stafit tonë ka ardhur fillimisht si emigrant apo si student në vendet tuaja dhe sot është kthyer për të shërbyer në Bashkinë e Tiranës. Tregon eksperiencat që përmblidhen në atë godinë dhe në punën e Bashkisë së Tiranës falë gjithë atyre që kanë jetuar në Europë dhe e kanë sjellë një copë të Europës për ta implementuar në Tiranë”, u shpreh ai.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson vlerësoi faktin që një hapësirë që më parë ishte dedikuar për makinat sot është kthyer në një hapësirë që me pemët e ndryshme e mbjella rishtazi do të përfaqësojë familjen e madhe europiane në Tiranë. “Po qëndroj këtu në këtë pjesë të sheshit e cila më përpara ishte dedikuar vetëm për makina, tashmë është shndërruar në një zonë për këmbësorët, pra dhe në një mënyrë shumë simbolike duke përcjellë mesazhin 'Europa e bashkuar në diversitet' sepse nëse i shihni pemët kuptoni se nuk janë të lidhura me njëra -tjetrën. Është një kombinim perfekt i pemëve që vijnë nga vendet anëtare”, tha Christian Danielsson. Ai shtoi se pas disa vitesh ku park do jetë kthyer në një pyll të Europës në Tiranë.

Bashkë me sheshin “Skënderbej”, Tirana bëhet një nga kryeqytetet më unik në Ballkan me një sipërfaqe tepër të konsiderueshme në qendër të tij e dedikuar tërësisht për qytetarët.

Më herët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në një takim të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Chrisitan Danielsson me të cilin bisedoi rreth projekteve transformuese të qytetit të Tiranës si dhe mundësisë së bashkëpunimit në fusha të ndryshme ku Tirana mund të përfitojë.

Veliaj i dorëzoi z. Chrisitan Danielsson “Çelësin e Qytetit”. Në kuadër të Ditës së Evropës, rrugë të ndryshme të kryeqytetit si dhe vetë godina e Bashkisë së Tiranës u dekoruan me flamujt e vendeve të Bashkimit Europian.

/Ora News.tv/