Parandalohet vrasja e një personi, në pranga dy persona

Parandalohet vrasja e një personi, në pranga dy persona

Dy persona të cilët dyshohet se do të kryenin një vrasje janë ndaluar në kohë nga policia e Lezhës, e cila ka kryer edhe arrestimin e tyre.

Mbrëmjen e së shtunës strukturat e policisë së Lezhës kishin marrë informacionin për ngjarjen rëndë kriminale që do ndodhte gjatë natës në fshatin Rrilë.

Menjëherë blutë kanë organizuar operacionin policor të koduar "Porosia" ku kanë prangosur në flagrancë 18 vjeçarin me inicialet S. H, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan dhe 43 vjecarin M. K. me banim në fshatin Shënkoll të Njësisë Administrative Shënkoll.

Mësohet se 18 vjeçari S.H, ishte porositur nga 43 vjecari M.K, që gjatë orëve të vona të natës do të qëllonte me armë zjarri në drejtim të një shtetasi me banim në fshatin Rrile të bashkisë Lezhë, po për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tij, dhe më pas do t’i merrte automjetin në oborrin e banesës së tij për tu larguar.

Po para se te kryente krimin menjëhere pas marrjes së informacionit rreth orës, 20.00, strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë kapur në flagrancë 18 vjeçarin në fshatin Rrile të Njësisë Administrative Shënkoll të bashkisë Lezhë, në afërsi të një dyqani ushqimor, i cili u kap me një armë zjarri automatik kallashnikov .

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri automatik kallashnikov një karikator me fishekë 30 copë, një çantë me ngjyrë të zezë ku brenda saj kishte 45 fishekë model 56, një kapuç ngjyrë të zezë, një palë doreza ngjyrë të zezë, dy aparate telefoni celular të markës Samsung.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentaivë”, në ngarkim të shtetasit M. K., ndërsa “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, në ngarkim të shtetasit S. H.

Po mbrëmjen e së shtunës edhe policia e Durrësit goditi një grup grabitësish të armatosur, duke vënë në pranga një person, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Tre të rinjtë nga Durrësi, Delvina dhe Tirana kishin planifikuar të grabisnin një karburant në qytetin e bregdetar.

Policia kishte marrë informacion për këtë plan, ndaj ndërhyri më parë duke vënë në pranga një 26 vjeçar nga Xhafzotaj i Durrësit.

Në momentin e arrestimit policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike kallashnikov model 56, një karikator me 22 fishekë, tre maska, tre palë doreza, tre celularë dhe një thikë që do përdoreshin për të realizuar vjedhjen me armë të karburantit.

Ndërsa Xh.M. 22 vjeç, banues në Delvinë dhe A.C. 21 vjeç, banues në Tiranë u shpallën në kërkim.



EMISIONET