Paralizohet Belgjika, tri sindikata në grevë, kërkojnë rritjen e rrogave

Paralizohet Belgjika, tri sindikata në grevë, kërkojnë

Një grevë e përgjithshme për rroga më të larta dhe kushte më të mira pune ka paralizuar veprimtarinë e aeroporteve, porteve detare dhe nuk ka kursyer madje as transportin publik të Belgjikës.

Ndërprerja e paralajmëruar nga tre sindikata punëtorësh erdhi në një kohë kur në kryeqytetin e vendit ishte parashikuar një takim dyditor mes ministrave të Mbrojtjes të aleancës së NATO-s.

Organizata për kontrollin e trafikut ajror njoftoi të mërkurën se hapësira ajrore e vendit do të qëndrojë e mbyllur deri në orën 22 të mbrëmjes pasi mungon personeli i mjaftueshëm për t'u shërbyer pasagjerëve.

Në hapësirën ajrore belge do të lejohet fluturimi i linjave të jashtme mbi 7,500 metra lartësi, por jo ulja apo ngritja e tyre.

Këto zhvillime raportohet se kanë prekur të paktën 60 mijë udhëtarë dhe mbi 590 aeroplanë për pasagjerë dhe mallra, duke kanë ndalur edhe gjysmën e shërbimeve hekurudhore apo detare në vend.

Sindikatat belge kanë bërë thirrje për një baraspeshë mes periudhës në punë dhe jashtë saj, për pensione dhe rroga më të larta, dhe shpërblime më të mira me rastin e përfundimit të karrierës.

Sipas kryeministrit belg, Sharl Mishel, bisedimet me palët e interesuara do të nisin ditën e enjte, ndërsa nuk mungojnë edhe kritikët që e shohin grevën si një aksion politik kundër qeverisë përpara zgjedhjeve parlamentare të muajit maj.

EMISIONET