Moti i keq ka përfshirë këtë të martë të gjithë vendin.

Në zonat malore vijojnë reshjet intensive të dëborës që kanë shkaktuar bllokime në disa njësia administrative malore të Dibrës dhe Kukësit dhe probleme në rrugë në zona të tjera.

Problematike mbetet situata në Trebisht, Ostren, Kalaja e Dodës e Lurë, ku trashësia e dëborës arrin deri në 50 centimetra.

Rruga drejt Doganës së Trebishtit në kufi me Maqedoninë është bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave, siç tregojnë edhe këto foto të siguruara nga Ora News

I pakalueshëm është edhe aksi Librazhd-Bulqizë, dhe Shkalla e Lunikut – Steblevë ku trashësia e dëborës arin 50 cm.

Në Qafën e Malit, në Pukë trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra dhe këshillohet të shmangen lëvizjet  pa zinxhirë.

Moti i keq u rikthye edhe në qytetin bregdetar të Vlorës, ku era e fortë ka krijuar dallgë të fuqishme deri në 8 ballë.

Situata ka alarmuar Kapitenerinë që ka udhëruar pezullimin e punës. Tregeti i linjës me Italinë ka dalë në Radë, ndërsa anijet e peshkimit janë udhëruar të mos dalin në det.

Të martën, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëroi për dy ditë me reshje intesive shiu kryesisht në juglindje e jugperëndim, të cilat do të rrisin ndjeshëm nivelin e ujërave në Lumejt Vjosa, Drino e Shushicë, të cilët kanë shkaktuar dy përmbytje masive këtë fillimviti

/Ora News.tv/