Banorët e qarkut të Kukësit paralajmërojnë se do ta kundërshtojnë me protesta rikthimin e tarifës së qarkullimit në Rrugën e Kombit, që pritet të aplikohet në shtator dhe në vlerën 100 lek për kalim. Ata thonë se do të ngrihen sërish edhe në rast se tarifa do të ishte 10 lek, pasi flasin për pamundësi ekonomike për të paguar tarifën.

"Qoftë edhe një 10 lekësh i vjetër, unë jam i bindur se përsëri do të dalim atje, i gjithë populli".

Kuksianët kundërshtojnë edhe tarifën e re të qarkullimit në Rrugën e Kombit që pritet të aplikohet prej shtatorit dhe për ta do parashikohet të jetë 100 lek për kalim.

Tarifa dhe koha e nisjes së aplikimit nuk janë zyrtarizuar ende nga qeveria, por  burime të Ora NeWs thanë se ajo është dakordësuar dhe do të jetë e vlefshme për banorët e Kukësit dhe  për 11 linja të transportit publik.

Në qëndrime ende individuale, banorët e Kukësit thonë se do ti rikthehen protestave në rast të aplikimit të tarifës së lëvizjes në Rrugën e Kombit.

Banori: Nëse vihet prapë ne prapë do të ngrihemi sikur jemi ngritur. Jemi gjithmonë në konflikt me shtetin pasi nuk mundemi ta paguajmë, jo se nuk i duam ne taksat.

Pamundësia ekonomike për të paguar është arsyeja e parë që japin kuksianët për kundërshtimin e pagesës për Rrugën e Kombit. Ndaj banorët e Kukësit ruajnë qëndrimin se për ta tarifa duhet të jetë zero.

Banori: Edhe ky 2 mijë lekësh është shumë sepse ne kemi farefisin të gjithë këtu.

Banori: Me një pension 100 mijë lekësh çfarë takse?

Banori: Zero, zero.

Por ndërsa për zyrtarizimin e tarifës së re dhe paketës lehtësuese për banorët e qarkut të Kukësit do të pritet shtatori, bashkë me qytetarët e Kukësit, kundër tarifës është pozicionuar edhe opozita.

Pak ditë më parë nga Kukësi, dy deputetë të Partisë Demokratike paralajmëruan se do të përdoret çdo formë demokratike për ta ndaluar.

Ndërkohë, në Rrugën e Kombit, në pikat e pagesës vijon rehabilitimi i dëmeve të protestës së 31 marsit.

/Ora News.tv/