Vetëm pak orë para mbërritjes në Athinë për vizitë zyrtare, presidenti turk, Recep Taiypp Erdogan, ka shkaktuar pezmatimin e mikpritësve.

Në një intervistë për televizionin Skai, Erdogan ka theksuar nevojën e rishikimit të marrëveshjes së Lozanës. Kjo marrëveshje, e nënshkruar më 1923, rregullon statusin e ishujve të Egjeut lindor në raport me Greqinë dhe Turqinë.

Erdogan nuk shpjegoi se cilat janë ndryshimet që synon pala turke, por tha se distanca ndërmjet disa ishujve është “problematike”, duke shtuar se mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me ujërat territoriale, hapësirën ajrore dhe shelfin kontinental, mund “të kapërcehen lehtësisht”.

Në të njëjtën kohë, kryeministri grek Aleksis Tsipras, në intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu Ajans, theksonte që “duhet të garantojmë se marrëdhëniet tona zhvillohen ...  me respekt të plotë ndaj Marrëveshjes së Lozanës”.

Reagimi zyrtar i Athinës për deklaratën e presidentit turk, erdhi nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë greke.

“Intervista e zotit Erdogan krijon shqetësim të madh dhe pikëpyetje. Respekti i marrëveshjes së Lozanës përbën themelin ekskluziv dhe të panegociueshëm mbi të cilat mund të ndërtohet bashkëpunimi i sinqertë i të dy vendeve”, tha zëdhënësi.

Në intervistë për televizionin grek, Erdogan u pyet edhe për çështjen e tetë ushtarakëve turq që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti dhe që drejtësia greke nuk lejoi ekstradimin e tyre, që e kërkon me insistim Ankaraja.

Erdogan tha se në korrik të vitit të kaluar kishte folur në telefon me kryeministrin Tsipras, i cili i kishte premtuar që ata do të ekstradoheshin në Turqi brenda 15-20 ditësh.

Por Erdogan la gjithashtu të kuptohet që këto probleme nuk duhet të shndërrohen në pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Përtej këtyre probleme, “marrëdhëniet ushtarake, tregtare dhe politike ndërmjet të dy shteteve do të vazhdojnë të forcohen në mënyrë shumë vendimtare dhe pozitive”, nënvizoi Recep Taiypp Erdogan.

Erdogan është i dyti president i Turqisë që viziton Greqinë pas plot 65 vjetësh.

Nga ana tjetër, Athina është kryeqyteti i dytë (më herët ishte Varshava), që e ka ftuar për vizitë pas tentativës së dështuar për grusht shteti që u shënua në Turqi në korrik 2016.

/Ora News.tv/