Ulet numri i të papunëve në Shqipëri. Të dhënat e INSTAT nxjerin në pah se niveli i papunësisë për tre muajt e parë të 2018 arrin në 12.5% nga 13.4% që ishte në tremujorin e fundit të 2017.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat mbetet më e lartë dhe është 12,6 % ndërsa për gratë është 12,3 %.Në një konferencë për mediat ministri i Financave u shpreh se pavarësisht shifrave pozitive ende duhet të punohet për të rritur punësimin. Sipas Ahmetaj në pesë-mujorin e parë 2018, ose në periudhën Janar- Maj, janë shpallur 26,543 vende të lira pune.

Ahmetaj: Anketa e forcave të punës e publikuar sot nga INSTAT konfirmon se punësimi ka vijuar trendin e tij të rritjes dhe në tremujorin e parë të 2018. Lajmi i mirë për shqiptarët është se punësimi është rritur në gjithë sektorët e ekonomisë me një kërcim pozitiv serioz prej gati 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lajmi tjetër i mirë është ulja e papunësisë në nivelin më të ulët historik, në 12.65%, ose me një rënie prej gati 1.7% në bazë vjetore.

Është ulja rekord e papunësisë për të gjtha vitet e tranzicionit. Jemi në nivelin më të ulët historik të papunësisë në Republikën e Shqipërisë.Sikurse vlerëson dhe raporti i BB, Shqipëria është vendi i parë në rajon sa i takon punësimit të forcës së aftë për punë. Pjesmarrja në forcën e punës ka arritur në 59.2%, 51.9% tek gratë dhe 66.5% tek burrat. Shqipëria mbetet vendi me normën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë dhe shifra vjetore vazhdon të zbresë.

Po kështu sipas Instat edhe papunësia te të rinjtë është ulur. Në tremujorin e parë 2018 ka arritur papunësia llogaritet në 24.5%, ose 2.1 pikë perqindje më e ulët se një vit më parë.


/Ora News.tv/