Trajneri i Kombëtares shqiptare  Kristian Panuçi  ka folur në konferencën për shtyp në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Turqisë, që do luhet nesër në Antalia.

Italiani i pankinës kuqezi i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve duke hedhur “dritë” në arsyet e grumbullimit të një lojtari pa skuadër siç ëhtë Aliji apo dhe 3 futbollistëve të dëmtuar.

Këtyre pyetjeve tekniku i është përgjigjur me mjaft profesionalizëm, duke theksuar se kombëtarja është si një familje dhe është ajo që i jep motivim të gjithë pjesëtarëve të kësaj familjeje.

"Para se të jemi skuadër, jemi familje, dhe duhet të mbështesim lojtarët edhe në ditët e tyre të vështira. Aliji është një lojtar i nivelit europian dhe ka qenë edhe më parë pjesë e grupit. Gjatë javës ka punuar shumë, edhe pse nuk është i gatshëm për 90 minuta lojë.”

Në lidhje me grumbullimin e të dëmtuarve Berisha, Basha dhe Latifi, Panuçi është shprehur se çdo lojtarë duhet të paraqitet në grumbullim me një letër nga mjeku i skuadrës ku ai aktivizohet dhe janë mjekët e kombëtares ata që vendosin nëse  lojtari është i gatshëm për të luajtur apo jo.



/Ora News.tv/