Një muaj pas humbjes me Skocinë, Shqipëria rikthehet në aksion sonte në mbrëmje ku do të përballet me Jordaninë në “Elbasan Arena”. Një kundërshtar modest nga emri, por që do t’i shërbej trajnerit për të testuar grupin përpara sfidës zyrtare me Izraelin.

Diferencat mes dy skuadrave janë të mëdha, jo vetëm në përbërje, por edhe në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë pozicionohen të 57-tët me 1383 pikë, 194 më shumë se Jordania që renditet e 110 në klasifikim.

Kombëtarja vjen në këtë takim pas një momenti negativ, ndikuar nga mungesat e mëdha, por edhe forma e disa lojtarëve kryesor si Mavraj, Grezda, Berisha apo edhe Ajeti dhe Agolli që nuk janë grumbulluar fare. Për shkak dëmtimi Panucci vazhdon të mos ketë të gatshëm Sadikun, Roshin dhe Abrashin ndërsa kthehet Grezda një lojtar tepër i rëndësishëm për skemat e tij.

Problemi më i madh është reparti difensiv, por as sulmi nuk ka shkëlqyer. Në pesë ndeshjet e fundit kuqezinjtë kanë pësuar 10 gola, mesatarisht dy gola për ndeshje dhe kanë shënuar vetëm 2. Pra statistikat flasin qartë, nuk është e vështirë për të evidentuar problemin dhe trajneri e di se çfarë duhet të përmirësoj.

Mavraj, i cili është një lider në zemër të mbrojtjes dhe jo vetëm nuk ka minutat e mjaftueshme, ndërsa në krahun e majtë Panucci ka eksperimentuar në ndeshjet e fundit duke aktivizuar Bunakin, Likën, Alijin apo edhe Veselin për të gjetur një “Agolli të ri”, por deri tani nuk ja ka dalë. 

Edhe pse sfida me Jordaninë është një miqësore, vlen më shumë se kaq. Trajneri do të testoj gjendjen e grupit përballë një ndeshje vendimtare për fatet në Ligën e Kombeve dhe nuk ka më kohë për eksepimente. Në këto kushte italiani pritet ta nis ndeshjen me formacionin më të mirë që ka në dispozcion për të krijuar një ide të qartë për lojtarët që do të aktivizoj kundër Izraelit.

/Ora News.tv/