Një avion i linjës "Blue Panorama" ka pësuar defekt teknik mëngjesin e të dielës pak minuta pas ngritjes nga Rinasi.

Pasagjerë që ndodheshin në bordin e avionit njoftuan se pas nisjes për në Ancona, në kohën kur avioni ndodhej mbi durrës, ka pasur depërtim të tymit në kabinë të shoqëruar me erë.

Autoriteti i Aviacionit Civil informoi se në bordin e avionit të linjës Tiranë-Ankona kanë qenë 36 pasagjerë. Ata janë sistmuar në një avion tjetër dhe janë nisur. 

Depërtimi i tymit dhe era e keqe në kabinë kanë shkaktuar panik tek personat që ndodheshin në bordin e avionit, të cilët janë alarmuar edhe nga kthimi i menjëhershëm i avionit për ulje emergjente në rinas. Sipas të dhënave të trafikut ajror, avioni ka bërë ulje të detyruar në pistë në ora 07.57 të mëngjesit.

Sipas grafikut të nisjeve të publikuar nga vetë aeroporti i Rinasit, avioni i linjës "Blue Panorama" që duhej të nisej për në Ancona në ora 07.15 të së dielës, është nisur me dy orë e gjysmë vonesë, duke u ngritur nga Rinasi në ora 10.00.

Pas uljes emergjente të avionit pasagjerët janë detyruar të presin për mbi dy orë në aeroport ndërsa kanë njoftuar se ekuipazhi nuk i kishte lejuar të fotografonin apo të filmonin momentet kur avioni ka futur tym në kabinë.

Pasagjerët kanë kërkuar sqarime pranë zyrave të kompanisë në aeroport, dhe sipas tyre, shpjegimi që u është dhënë për uljen emergjente dhe vonesën e fluturimit, ka qenë një defekt teknik.

Autoriteti Civil njofton se ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bën mbikqyrjen nga afër të punën së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes.

Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes.

Në bazë të rregulloreve evropiane, të cilave u referohen dhe autoritetet shqiptare gjatë punës së tyre mbikqyrëse, raporti i ngjarjes, ndërmarrë nga vetë kompania brënda 72 orëve, do ti dërgohet palës italiane si autoriteti certifikues i kompanisë.

/Ora News.tv/