Ndryshimet e propozuara nga qeveria për paketën fiskale do të kalojnë në qeveri në mbledhjen e ardhshme. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, përmendi se disa nga ndryshimet kryesore janë rritja e tavanit për tatim-fitimin e bizneseve deri në 14 mln lekë si dhe lehtësira për agroturizmin. Sipas Ahmetaj lehtësirat fiskale do tërheqin më shumë investime ndërsa përmendi interesin e disa kompanive për Shqipërinë. Ndërkohë zv/presidenti i BERZH kërkoi që të përmirësohet klima e të bërit biznes, ndërsa bëri me dije se do jepen 100 mln euro për të ndihmuar sektorin e turizmit..

Lehtësirat fiskale të propozuara nga qeveria do të miratohen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se shumë biznese do të përfitojnë nga rritja e pragut deri në 14 mln lekë për tatim-fitimin.

Sipas kreut të Financave, ulje të taksave do ketë edhe për agroturizmin dhe sektorin energjitik.

Arben Ahmetaj: Një lëvizje shumë e rëndësishme është dhe rishikimi i tavanit të tatim-fitimit që praktikisht e ul me 3 herë ngarkesën fiskale për bizneset e prekura, tatim-fitimi për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë.

Pavarësisht debatit se në vend po ulet interesi për investitorët e huaj, kreu i Financave u shpreh se disa kompani serioze kanë shprehur interes për të ardhur në Shqipëri, midis tyre kompani gjermane e zvicerane.

Arben Ahmetaj: Para disa ditësh firmosëm një kontratë me kompaninë Forscher, një ofertë që i hap rrugën një investimi të ri të kësaj kompanie ku do të punësohen rreth 1000 punonjës. Kemi interes të avancuar nga një kompani gjermano-zvicerane për nnërtimin e një porti jahtesh dhe mjetesh luksoze lundrimi.

Por për zv/drejtorin e BERZH, Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e të bërit biznes si dhe të luftojë korrupsionin ndërsa prezantoi programin e investimit prej 100 mln eurosh në turizëm.

Alain Pilloux:
 Ne duam që gjërat të bëhen. Vazhdoni të përmirësoni klimën e biznesit. Është shumë e rëndësishme të promovoni investimet, të drejtat e pronësisë. Duhet të mbështesim rritjen e sektorit privat në ekonominë e Shqipërisë duke u mbështetur në turizëm dhe agroturizëm. Duhet të inkurajojmë bankat të marrin më shumë rrisk dhe të japin kredi në monedhën vendase. 

Ne do të vazhdojmë mbështetjen në të gjithë sektorët e ekonomisë. Vazhdoni të punoni në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë. Ne po përgatisim me qeverinë dhe Bashkimin Europian një program inovativ, i cili do të kombinojë paratë e BERZH dhe BE-së. Do të jetë një program i madh, rreth 100 milionë euro, për të ndërtuar rrugët lokale dhe ujësjellësat në zonat turistike.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tre muajt e parë të këtij viti investimet e huaja arritën në 284 mln euro, duke pësuar një rritje me mbi 60% dhe kjo shpjegohet me intensifikimin e punës së gazsjellësit të TAP.

/Ora News.tv/