Ministria e Financave do të propozojë uljen e taksës për pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj si dhe uljen e taksës së dividentit. Edhe pse ende nuk ka një draft zyrtar të ndryshimeve mësohet se rishikimi do të propozohet dhe për TVSH e autobusëve elektrike, si dhe përjashtimi nga TVSH për makineritë bujqësore.

Diskutimet në lidhje me ndryshimet në paketën e re fiskale të viti 2019 pritet të përmbyllen brenda pak ditëve.

Aktualisht grupeve të interesit u është dërguar një listë me ligjet që do të preken por pa dhënë detaje konkrete për nivelin e ndryshimit të taksave.

Disa prej rishikimeve që janë propozuar janë ulja e dividentit për kompanitë e mëdha, rishikimi i taksës për pagat e mbi 130 mijë lekë, heqja e TVSH-së për makineritë bujqësore, ulja nivelit të TVSH-së për autobusët elektrikë etj.

Në listën që Ministria e Financave i ka dërguaar biznesit gjithashtu propozohet ndryshimi i skemës së taksimit të ambalazheve plastike, kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike tek taksimi i materialeve plastike, duke e ulur me 2/3 normën ekzistuese.

Po ashtu rregullime parashikohen edhe në skemën e rentës minerare për industrine e kromit, me qëllim nxitjen e përpunimit brenda vendit të mineraleve, duke shtuar vlerën e tij për eksport.

Pavarësisht këtyre propozimeve bizneset kanë bërë edhe propozime të tjera me anë të cilave kërkojnë rishikim të disa taksave.

/Ora News.tv/