Gjatë vitit 2017 kanë emigruar 40 mijë shqiptarë ose 15 mijë më shumë sesa një vit më parë, çka tregon një trend rritës të emigracionit. Të dhënat e dala nga INSTAT sipas ekspertëve kanë pasoja të forta negative në tregun e punës por edhe në skemën e pensioneve.

Eksperti, Kosta Bajraba, në rubrikën "Para e Pasuri" të gazetares Aurora Sulçe, shpjegon se qeveritë duhet të krijojnë politika të duhura për parandalimin e këtij fenomeni.

Bajraba: Shqipëria vazhdon të prodhojë flukse dhe të gjitha qeveritë e kanë për detyrë që të krijojnë kushte dhe mundësi që qytetarët të punojnë në vendin e tyre. Por ndikimi i emigrimit në dinamikën e popullësisë vjen duke u dekurajuar.

Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se në 6 vite janë kthyer 191 mijë shqiptarë dhe kanë arritur të emigrojnë 317 mijë të tjerë. Arsyet ekonomike janë ato që i detyrojnë shqiptarët të emigrojnë.

Bajraba: Në thelb shqiptarët emigrojnë kryesisht për arsye ekonomike por rritja, ndikimi i faktorëve jo ekonomikë në emigrim vjen duke u rritur. Emigrojnë dhe për arsye të tjera, projekteve që kanë për jetën dhe ambiciet më të mëdha që ka çdonjëri në raport me investimin që ka bërë në jetën e vet.

Përsa i përket lëvizjes së popullsisë brenda vendit, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia është rritur vetëm në tre qarqe që janë Tirana, Durrësi dhe Vlora.

Ndërkohë ka pësuar ulje në 9 qarqe të tjera, ku numrin më të madh e ka Gjirokastra, Dibra dhe Berati.

/Ora News.tv/