Rivendosja e marrëdhënieve të afërta diplomatike mes dy Koreve gjatë Olimpiadës Dimërore vijon të jetë në qendër të vëmendjes, teksa lideri verior Kim Jong-un ka vlerësuar “përpjekjet e sinqerta dhe mbresëlënëse” të Jugut në mikpritjen e delegacionit në qytetin e Pyeongchang. 

Suksesi i vizitës tre-ditore të delegacionit në Olimpiadë ka rikonfirmuar rëndësinë e nxitjes së “një klime të ngrohtë pajtimi dhe dialogu” mes dy palëve, raportohet të ketë thënë lideri Kim sipas medias shtetërore KCNA.

Kujtojmë se presidenti koreano-jugor Moon Jae-in mori një ftesë zyrtare për të vizituar Penianin në kuadër të një takimi me liderin Kim Jong-un. Që prej ardhjes në pushtet, presidenti ka inkurajuar gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për krizën në gadishullin korean. Ndërkohë, Seuli zyrtar duket se do të vijojë me planet për ribashkimin e familjeve të ndara gjatë luftës koreane, për të mbështetur dialogun që nxiti vizita e delegacionit verior.

Përpjekjet për të shtuar ndërveprimin mes Koreve duket se kanë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, pasi një çtensionim i situatës në gadishull mund të sjellë edhe në një dialog mes Penianit dhe Uashingtonit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë deklaruar se duhen shtuar sanksionet ndërkombëtare, në mënyrë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programi bërthamor. Vitin e kaluar, vendi i izoluar kreu dhjetëra testime raketash dhe testin e gjashtë bërthamor në kundërshti me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.


/Ora News.tv/