Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. 

Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet per veprën penale të shpërdorimit të detyrës. 

Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.

"Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë" thuhet në njoftimin e IKMT-së. 

Kallzimi u be pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë nderkohe qe IKMT e mbyll duke deklaruar se "do te vijoje të mbroje territorin kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve." 

Sakja për padinë: Sulm politik i Ramës, sondazhet e nxjerrin humbës në Kavajë

Kreu i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, e ka cilësuar padinë e IKMT-së ndaj tij një sulm politik të dirigjuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij gjithçka lidhet me sondazhet e kryera në Kavajë, e që sipas tij të gjithë kandidatët potencialë socialistë dalin në humbje.

/Ora News.tv/