Pacolli konfirmon se Thaçi e Rama kanë biseduar në Armeni me Macron për ndryshimin e kufijve

Pacolli konfirmon se Thaçi e Rama kanë biseduar në Armeni me

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka komentuar temën më të përfolur të kohëve të fundit – idenë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

“Unë këtë çka po e dëgjoj edhe në vizitat dhe takimet që presidenti Hashim Thaçi ka nëpër botë, në fillim më është dukur si një çështje e paarritshme, një çështje që flitet dhe pak e çuditshme. T’iu them të drejtën, po e shoh se çdo ditë e më tepër kjo ide po merr mbështetje. Nuk e di çka mendohet në korrigjimin e kufijve por unë korrigjimin e kufijve e kuptoj si një demarkacion. Demarkacion është edhe kur 1 m ose 10 km korrigjohet kufiri”, tha Pacolli në ‘Zona B’ në Klan Kosova.

“Si ide e tillë, unë e di, sot, një numër i madh i kosovarëve e kuptojnë si një gjë normale – ndërrimin e territoreve diku që nuk i kemi kontrolluar deri tani dhe nuk do t’i kontrollojmë as në të ardhmen për territoret që janë me njerëz të gjakut dhe gjuhës tonë”, tha ai.

Pacolli ka thënë se serbët nuk do t’i japin përkrahje kësaj ideje.

“Serbët nuk do ta mbështesin për arsye se serbët kanë synime të tjera në Kosovë dhe nuk do ta mbështesin këtë ide. Në njërën anë, janë këto dëshira ose ideja e Thaçit që çdo ditë e më tepër po has në mirëkuptim dhe nga ana tjetër, Serbia që ka folur njëherë për ndërrim të territoreve dhe tash po duket se është tërhequr pak”, shpjegoi Pacolli.

Zëvendëskryeministri i parë ka bërë të ditur se në muajin nëntor në Francë do të ketë një takim trilateral mes tre homologëve – presidentit të Kosovës, atij të Serbisë dhe Francës.

“E di se do të ketë takim në Francë në muajin nëntor, mes Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiqit, si dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe do të diskutohet kjo për shkak se edhe gjatë takimit që pati presidenti Hashim Thaçi me Emmanuel Macron, në Samitin e Frankofonisë, është diskutuar një gjë e tillë”, tregoi Pacolli.

“Vet presidenti [Emmanuel Macron] thotë ecni përpara, mos pushoni. Bashkësia Ndërkombëtare nuk mund të durojë një problem të pazgjidhur në Ballkan dhe Evropë dhe ju inkurajoj ecni përpara. Ai na ka thënë bisedoni dhe ecni përpara, keni mbështetjen e Francës”, theksoi ai.

EMISIONET