Ndryshe  nga mazhoranca, OSBE është në një mendje me opozitën kur thotë se Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ që mund të vendosë në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit të Republikës.

Një specifikim i tillë gjendet në raportin paraprak për votimet e 30 qershorit të OSBE-ODIHR por nën rreshta e nënkuptoi edhe shefja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR, Audrey Glover, kur tha se certifikimi i zgjedhjeve do të bëtë nga vetë autoritetet shqiptare.

“Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit”, thuhet në raport.

Ndërkohë, një vendim i KQZ me shumicë anëtarë të PS dhe më pas Kolegjit Zgjedhor për të mos çregjistruar Partinë Uniteti Kombëtar nga 30 qershori, u interpretua nga mazhoranca përpara votimeve si rrëzim i dekretit të presidentit Meta.

Lexoni KËTU raportin paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit

/Ora News.tv/