Grupi pro-demokraci i themeluar nga miliarderi Xhorxh Soros po largohet nga Hungaria pasi kryeministri njoftoi për goditjet e organizatave joqeveritare.

Fondacionet Soros për Shoqërinë e Hapur (OSF) thanë se janë duke shkuar në Gjermani, duke lënë atë që ai e quajti 'një ambient gjithnjë e më represiv politik dhe ligjor' në Hungari.

Qeveria e krahut të djathtë të Viktor Orban njoftoi kufizimet e reja dje, nën një ligj të njohur si 'Stop Soros'.

Kryeministri Orban, i cili korri një fitore zgjedhore muajin e kaluar, ka akuzuar vazhdimisht Soros dhe organizatën e tij për inkurajimin e emigrantëve dhe për minimin e kulturës kombëtare.

OSF tha se do të vazhdojë të mbështesë punën e të drejtave të njeriut në Hungari, si dhe projekte të lidhura me artin, lirinë e medias, transparencën, arsimin dhe kujdesin shëndetësor, por do të lëvizë operacionet dhe stafin ndërkombëtar me bazë në Budapest për në Berlin.

"Qeveria e Hungarisë ka denigruar dhe keqinterpretuar punën tonë dhe ka shtypur shoqërinë civile për hir të përfitimit politik, duke përdorur taktika të paprecedenta në historinë e Bashkimit Evropian", tha në një deklaratë presidenti i OSF Patrick Gaspard.

Grupet e opozitës dhe të të drejtave të njeriut kanë deklaruar se largimi i këtyre organizatave, do të shënonte një rrëshqitje drejt sundimit autoritar në Hungari dhe do të shkonte kundër parimeve të BE-së.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs nuk pranoi të komentojë.

Orban dhe Soros janë përplasur gjatë krizës evropiane të migracionit më 2015. Orban thotë se Soros synon të minojë identitetin kulturor të Evropës, ndërsa miliarderi e ka akuzuar atë për drejtimin e një shteti mafioz.

Legjislacioni i OJQ-ve pritet të jetë një nga ligjet e para të miratuara nga parlamenti i ri.

Kjo do të lejonte ministrin e Brendshëm të ndalonte çdo OJQ aktive në fushën e imigracionit që konsiderohet se përbën 'rrezik të sigurisë kombëtare' si dhe do të imponoje edhe një taksë 25 për qind ndaj donacioneve të huaja.

/Ora News.tv/