Ora News ju tregon dokumentin: Ja si e justifikonte dorëheqjen ish-kryeprokurori Adriatik Llalla

Doni të dini si e justifikoi dorëheqjen ish kryeprokurori Adriatik Llalla para presidentit të Republikës Ilir Meta?

Ora News ju sjell dokumentin e dorëheqjes së ish kryeprokurorit Adriatik Llalla drejtuar Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Bëhet fjalë për dokumentin që mban datën 10 shkurt 2018 dhe ku Llalla shkruante se po i paraqiste dorëheqjen nga funksionet e magjistratit dhe nga e drejta që i njeh ligji për tu emëruar në një pozicion në nivel të Apelit. 

Në cilësinë e Presidentit të Republikës ju bëj me dije se, unë Adriatik Xhemal Llalla nga data 07.12.2012 deri në datë 18.12.2017 kam ushtruar funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.

Neni 61 i ligjit Nr.96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, parashikon se me mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, ai ka të drejtë që të caktohet në një pozicion në nivel apeli.

Në aplikim të nenit 56 të Ligjit për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në RSH dhe vendimit nr 79 viti 2017 të Gjykatës Kushtetuese të RSH, ku parashikohet e drejta për të hequr dorë në cdo kohë nga funksioni i magjistratit deri në momentin e dhënies së vendimit përfundimtar nga KPK, ju paraqes dorëheqjen time nga funksionet e magjistratit dhe nga e drejta që më njeh ligji për tu emëruar në një pozicion në nivel apeli.

Me konisderatë të Lartë, Adriatik LLALLA


Hetime për Adriatik Llallën? Prokuroria e Përgjithshme nuk konfirmon

 Dy ditë më parë, burime jo zyrtare nga prokuroria e Durrësit nxorën në media lajmin për nisjen e hetimeve me akuzen e pastrimit të parave ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Ora News u interesua prane Prokurorise se Përgjithshme për të konfirmuar nëse nisja e hetimeve eshte e vertete.

Por burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme nuk e konfirmuan një gjë të tillë.

Llalla nuk iu nënshtrua vettingut pasi hoqi dorë nga e drejta për emërim në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë më 16 shkurt 2018 Llalla i shpall "non grata" në Amerikë. Atehere Ora News u interesua pranë Departamentit të Shtetit se përse Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e ka bërë këtë shpallje publikisht dhe përgjigja që u mor ishte kjo:  Zoti Llalla përmbush kushtin e parashikuar në seksionin 7031(c). Sekretari ka informacione të besueshme se zoti Llalla ka qenë i përfshirë në korrupsion domethënës gjatë periudhës së tij si Prokuror i Përgjithshëm.

Me korrupsion domethënës, Departamenti Amerikan i Shtetit nënkupton natyrën e veprimeve korruptive dhe impaktin e tyre në interesat kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

 

 


EMISIONET