Një dokument strategjik I prokurorisë së përgjithshme për vitet 2018-2020 përcakton fushat e veprimit të Byrosë Kombëtare të hetimit dhe prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndonëse ato ende nuk janë formuar. Sipas dokumentit që disponon Ora Nevvs, goditja e krimit ekonomik, pastrimit të parave, terrorizmit dhe kultivimit e trafikimit të kanabisit do të jenë objektiv I këtyre strukturave. Strategjia 2-vjeçare e organit të akuzës shkon edhe më tej me qëllimin që SPAK dhe BKH të identifikojnë rrjetet kriminale që fshihen pas këtyre veprave penale.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e njohur me emrin SPAK, nuk është ngritur ende për shkak të vonesave në zbatimin e reformës në drëjtësi. Por një pjesë e mirë e detyrave dhe funksioneve konkrete që ajo do të realizojë së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, janë përcaktuar në “strategjinë afatmesme dhe planin e veprimit” të prokurorisë shqiptare për vitet 2018-2020.

Sipas strategjisë, organi i akuzës nuk duhet të përqëndrohet vetëm tek lufta ndaj krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, terrorizimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por të zbulojë edhe grupet kriminale që i kryejnë këto vepra. “Është tejet parësore dhe kërkohen masa të koordinuara veçanërisht përsa i përket identifikimit të rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas këtyre veprave”, thuhet në dokumentin e prokurorisë të cilin e disponon Ora News.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK dhe Njësia e Posaçme Hetimore, e cila emërtohet “Byroja Kombëtare e Hetimit” do të ushtrojnë kompetencat në mënyrë efikase dhe të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm, thuhet në dokumentin që i ka dhënë përgjigje edhe situatës aktuale kur reforma në drejtësi ende nuk është zbatuar plotësisht.

Deri në krijimin e kësaj strukture, çështjet në kompetencë të saj do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore”, thuhet në strategjinë e organit të akuzës.

Sipas saj, kjo përgjegjësi, do të vijojë të ushtrohet me angazhim maksimal dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave. Më tej theksohet se edhe pas krijimit të strukturës së specializuar hetimore, SPAK, bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të zakonshëm dhe SPAK do të jetë i një rëndësie thelbësore për goditjen e kriminalitetit.

Prokuroria do të synojë:

1. Arritjen e rezultateve konkrete në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet gjithë masave të kësaj strategjie;

2. Sigurimin e bashkëpunimit maksimal me gjithë institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë e Posaçme;

3. Zhvillimin e analizave të përbashkëta bazuar në tregues statistikorë e raste konkrete.

/Ora News.tv/