Opozita: Protestuesit u provokuan, Rama të dorëhiqet

Opozita: Protestuesit u provokuan, Rama të dorëhiqet

Protestuesit nuk shkuan në sheshin para kryeministrisë për të ushtruar dhunë, por u provokuan nga policia. Ky ka qenë qëndrimi i krerëve të opozitës pas përplasjeve para shkallëve të kryeministrisë.

Për kryetarin e PD kërkesa politike është krijimi i një qeverie teknike.

Basha: Qytetarët janë thirrur nga opozita me një qëllim të qartë politik. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, t’i japim fund qeverisë, që është kapur në vjedhje tek Unaza, tek Teatri, është kapur në vjedhje të votave. Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ju e dini fare mirë se si organizohen protestat e dhunshme. Asnjë prej protestuesve këtu nuk erdhi për të kryer akte dhune. Ato u provokuan dhe u nxitën nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës dhe i ekzekutuar nga një grusht policësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Ndërkaq për Berishën protesta shënoi fundin e kakistokracisë.

Berisha: Janë të mjerë, të braktisin sa më parë regjimin e kakistokracisë. Thirrja ime për policinë është bashkohuni me popullin.

Sipas tij Rama do të ketë të njëjtin fund me Ramiz Alinë. Madje sipas tij Rama pas kësaj proteste nuk do të mund të kthehet më në Vlorë.

Berisha: Edi Ramës i them se më 20 shkurt Ramiz Alia të mori me bizhama dhe të çoi në një bunker në Zall Herr bashkë me bllokmenët e tjerë. Tani nuk ka kush të con në bunker, jep dorëheqjen.

Duke iu përgjigjur deklaratave të ndërkombëtare për të mos ushtruar krerët e opozitës shprehen se është pushteti ai që provokoi.

EMISIONET