Opozita bojkoton seancën plenare: Të anulohet votimi për Teatrin

Opozita bojkoton seancën plenare: Të anulohet votimi për Teatrin

Ligji për Teatrin e Ri mbetet në fuqi, pavarësisht Kërkesës së opozitës për tu shpallur nul me argumentin se Partia Socialiste manipuloi votimin javën e shkuar. Sekretariati për Procedurën dhe Votimin, la në fuqi votimin e javës së shkuar ndërsa u tha se ishin dy deputetë të LSI-së që ndërruan qëllimisht kartën e Robert Bitrit me të Vangjel Tavos, i cili nuk ndodhej në Kuvend. Opozita në shenjë proteste, bojkotoi seancën parlamentare.

Opozita bojkotoi në shenje proteste seancën parlamentare të Kuvendit, duke pretenduar se në seancën e fundit mazhoranca manipuloi votimin për ligjin e Teatrit të ri.

Në Kuvend morën pjesë për pak minuta kryetarët e grupeve parlementare të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, të cilët bënë publik qëndrimin e opozitës, e më pas u larguan.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, tha se vetëm pak minuta më parë e kishte marrë kërkesën e opozitës.

Në këto kushte urdhëroi që për këtë çështje të mblidhet sekretariati për Procedurat dhe Votimet.

Ruçi: Sot jam njohur me këtë kërkesë. Do të kem një qëndrim në fund të ivestigimit që do të bëjë komisioni përkatës.

Vasili: Është kërkesë që qartëson se në sallën e Kuvendit çdo standart i funksionimit të Kuvendit ka rënë. Është në vijimësi të të njëjtit standart që i hoqi mundësinë opozitës dy javë më parë të vazhdonte të fliste. Në përputhje me rregulloren kërkesa jonë për shkak të kësaj séance që është kërkuar nga ju, është depozituar dy ditë përpara, sikurse rregullorja e kërkon. 

Ka qenë koha e nevojshme për të bërë investigimin e duhur për këtë çështje. Është fare e qartë që nuk mundet që parlamenti të funksionojë si ditët e tjera, përderisa ka zgjedhur të funksionojë për ditën e hënë duhet ta bënte. Është standart shumë i ulët ku vota u tjetërsua në mënyrën më të turpshme dhe për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme që në këtë situatë të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të jemi këtu dhe të ligjërojmë këtë gjë që ishte emergjencë dhe duhet të verifikohej dhe nuk mund të hapej seanca.

Dëgjohen zhurma nga mazhoranca

Vasili: Qetësoji Gramoz që të flasim dhe ne. Kjo situatë e papranueshme bën që ne të mos vazhdojmë dot të së bashku derisa kjo situatë të sqarohet dhe ky rivotim të kryhet.

Spaho: Mbështes qëndrimin e zotit Vasili. Të enjten është kryer votimi për shembjen e Teatrit Kombëtar në një akt të paprecedent por më shumë se përmbajtja e ligjit dhe vetë procesi i votimit ka pasur difekte, rezultati është manipuluar. Një nga deputetët e opozitës pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro ligjit për shembjen e Teatrit. Nuk është hera e parë në këtë kuvend që të ndodhin çudira të tilla.Kërkesa jonë për të anuluar votimin, për ta rivotuar ligjin, është bërë para dy ditësh.

E para gjë që duhet të bënte Kuvendi do të ishte verifikimi i pretendimeve të opozitës dhe sot të kishim  një përgjigje të qartë çfarë ka ndodhur. Në këto kushte ne nuk do të marrim pjesë në seancën e sotme për shkak se gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme.Opozita jo vetëm po pengohet nga e drejta e fjalës por vullneti i saj po denatyrohet përmes mekanizmave të tilla që falsifikojnë votimin e  këtij ligji kaq të rëndësishëm dhe të kontestuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik.

Ruçi: Kërkesën sot e kam marrë si kryetar Kuvendi, e keni depozituar para dy ditësh por në orën e fundit të orarit zyrtar. Të shtunë dhe të dielë nuk ka funksionuar administrata.Sot që në orët e para të mëngjesit kam dhënë shënimin për Sekretariatin e Votimit, i kam dhënë porosi administratës tu vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe pamjet filmike të sallës, ta shqyrtojnë çështjen dhe të japin mendimin, mbi bazë të mendimit do marr vendimin përkatës.

Sekretariati për votimin nuk pranon kërkesën e opozitës për ligjin

Nën praninë e deputetëve socialistë Adnor Shahmeti dhe Alket Hyseni dhe demokratit Enkelejd Alibeaj, pas me shume së 1 orë mbledhje asgjë nuk ndryshoi, pasi socialistët referuar pamjeve filmike pretendojnë se kartën e votimit të Vagjel Tavos me të deputetit Robert Bitri e kanë ndryshuar qëllimisht dy deputetë të LSI-së.

Balla: Kartat e votimit u manipuluan nga LSI

Ky pretendim u mbështet më pas nga kryetari i grupit të socialistëve Taulant Balla, ku nuk i kurseu akuzat.

Balla: Në ato prova filmike që do të bëhen publike, duket qartë që një deputet i caktuar, anëtar i grupit parlamentar të LSI, ka marrë kartën nga vendvotimi i zotit Tavo dhe e ka shpënë kartën përmes dorës së një deputeti tjetër po të LSI në vendvotimin e zotit Bitri. Pak rëndësi kanë emrat, do ti shikoni.

Pyetje: Bëhet fjalë për zotin Braimllari dhe Panariti?

Balla: Besoj se po. Jam shumë i sigurt se mund të kenë pozicione të ndryshme, për mua është i rëndësishëm qëndrimi për të bojkotuar Kuvendin mbi një veprim që e ke kryer po vetë. Nuk ka rëndësi kush e ka bërë këtë veprim në kuptimin dhe të rregullores së Kuvendit sepse ky votim nuk ka ndryshuar as në kuorumin e vendimarrjes dhe as në rezultatin e votimit. Më vjen keq që opozita e vendit tim ka degraduar deri në këtë pikë që bën një veprim vetë dhe mbi veprimin e kryer vetë merr përsipër të firmosë një shkresë ku akuzon për vjedhjen historike.

Në mungesë të pjesëmarrjes në Kuvend, për akuzat e Taulant Ballës reagoi në facebook, kryetari i grupit të deputetëve demokrat Edmond Spaho, i cili thotë se Sekretariati për Procedurat dhe Votimet, vendosi sipas interesave të Kryeministrit, duke mbrojtur aferat korruptive.

Edmond Spaho: “Sa here e kane ndjere te nevojshme kane perdorur mekanizmin e votes ne Sekretariat, ne Byro apo per ti hequr te drejten e fjales opozites ne seance plenare. O Gramos o Gramos vete shkruan vete vulos. Si ne diktature”.


Basha në SHBA deri me 12 korrik

Ndërkohë vlen të theksohet fakti se edhe nëse PD do të ishte e pranishme sot në Kuvend, kreu i saj Basha do të mungonte pasi ka udhëtuar të dielën drejt SHBA ku do të ketë një seri takimesh zyrtare deri me 12 korrik.



EMISIONET