Melania Trump i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e një tumori beninj në veshkë. Zyra e saj ka raportuar se ndërhyrja ka qenë e suksesshme dhe se Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara do të qëndrojë një javë në qendrën mjekësore ku eshtë ajo trajtuar.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Melania Trump, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, për trajtimin e një tumori beninj në veshkë, në Qendrën Mjekësore Walter Reed.

Zyra e Zonjës së Parë ka deklaruar se ndërhyrja ka dalë me sukses dhe se nuk ka patur ndërlikime. Kjo është konfirmuar përmes një postimi në Twitter edhe nga presidenti Donald Trump, i cili vizitoi bashkëshorten e tij.

Ndërkohë 48-vjeçarja Melania, e cila duhet të qëndrojë një javë në qendrën mjekësore ku u krye ndërhyrja, shpreson të shërohet sa më shpejt në mënyrë që të vazhdoje misionin e saj për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve kudo që ata ndodhen.

Kujtojmë se zonja Trump ka nisur javën e kaluar iniciativën e saj “Be Best” që promovon të jetuarit shëndetshëm dhe aspiron familjarizimin e fëmijëve me rëndësinë shëndetit fizik, emocional dhe shoqëror.

/Ora News.tv/