Opera "Skënderbeu" me muzikë të Antonio Vivaldit dhe tekst të Antonio Salvi pas 300 viteve do të interpretohet sot në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të qytetit të Firenzes.

300 vite më parë më 22 qershor të 1718 kjo opera u vu për herë të parë në skenën e Teatrit Pergola të Firenzes me rastin e rihapjes së aktivitetit të tij artistik.

Në historinë e këtij teatri, vënia në skenë e Operës Skëndërbeu shënoi një kthesë epokale pasi për herë të parë u hapeshin dyert një publiku që paguante për të parë shfaqjet artistike.

Opera "Skënderbeu" u interpretua për 18 herë në skenën e Teatrit Pergola e më pas u zhvendos në skenën e Teatrit operistik të Sienës.

Gjatë këtyre 300 viteve, shumë arie të kësaj opere në muzikën e Vivaldit kanë humbur duke mbijetuar vetëm 4 arie të tij. Ndërsa libri i tekstit ruhet i arkivuar në disa biblioteka të qyteteve të ndryshme si Bolonja, Modena, Roma etj.

Gjatë viteve të fundit violonçelisti shqiptar Perikli Pite i ndihmuar nga shoqata "Fenice Estense " kanë mundur të zbulojnë e të restaurojnë gjashtë arie të tjera të kësaj opere.

Një tjetër fakt i rrallë që e dallon këtë vepër është se repertori operistik i Antonio Vivaldit njihet pasi personazhet e tij i përkasin mitologjisë së hershme e vetëm opera e tij Skënderbeu qe një përjashtim.

Rikthimin në skenën e Teatrit të Firences të operës "Skënderbeu" bëhet në nderim të figurës së heroit kombëtar shqiptar në këtë vit të 550 vjetorit të tij të vdekjes.

Vënia në skenë e operës Skënderbeu është një rast i rëndësishëm i konfirmimit të lidhjes mes kulturës italiane dhe historisë së Shqipërisë dhe i rizbulimit të një pasurie muzikore siç është kjo vepër.

/Ora News.tv/