Octavio Paz dhe Elena Garro, një histori e hidhur

Octavio Paz dhe Elena Garro, një histori e hidhur

Ka një mit rreth martesës së poetit meksikan Octavio Paz, nobelist i vitit 1990, dhe shkrimtares së shquar meksikane Elena Garro. Kjo martesë ka ngelur si një shembull kulmor i traditës patriarkale kundër lirisë së gruas, i forcës kundër dobësisë, i jetës publike kundër jetës shtëpiake, i kujtesës kundër harresës. Thënë më qart: Paz kundër Garro.

O. Paz dhe E. Garro u njohën në vitin 1935 dhe pas dy vjetësh, kur ajo sapo kishte mbushur 20 vjeç, u martuan. Për këtë martesë vetë Elena Garro flet gjithë dhimbje te libri i saj «Kujtime nga Spanja» (1992). Ajo tregon aty për zhgënjime të njëpasnjëshme dhe për mbyllje në “një syrgjyn rregullash strikte dhe të ashpra”. Në këtë libër E. Garro tregon se atë mëngjes të 1937, ndërkohë që ajo do të shkonte të jepte një provim të latinishtes u martua me O. 

Paz, pasi ky dhe miqtë e tij e bindën ta linte provimin dhe të shkonin drejt te një gjykatës, ku zyrtarizuan martesën. Pas kësaj martese të nxituar ajo nuk do t’i kthehej më jetës studentore dhe do ta kishte tejet të vështirë t’i kushtohej prirjes dhe talentit të saj ndaj letërsisë. Qysh nga ky moment çdo veprim të saj do ta drejtonte i shoqi. Ajo duhet të jetonte për atë dhe për veprën e tij, gjë që e bëri armike të përjetshme të tij.

E zhgënjyer dhe e penduar nga kjo martesë, E. Garro, në vitin 1947, dy herë tentoi të vriste veten. Dhe njëmbëdhjetë vjet më pas, divorci midis tyre u bë i pashmangshëm.

Shkrimtarja Patricia Rosas Lopategui, autore e librit “Vrasja e Elena Garros”, thotë: Ajo është një feministe që jetoi nën tiraninë jo vetëm të Oktavio Pasit, por edhe të një klike intelektualësh të cilët e konsideronin vetëm si grua apo ish-grua të dikujt. Kurse shkrimtarja tjetër meksikane, Elena Poniatowska, thotë për Garron: E dashur dhe e urryer, e adhuruar dhe e mohuar, udhëton e vetmuar dhe jo pak herë e çorientuar nga një ekzistencë në të cilën nuk e njohu as të drejtën, as lumturinë.

Me gjithë konfliktet bashkëshortore dhe mangësitë e intimitetit të domosdoshëm në punën krijuese, Garro gjatë asaj periudhe të vështirë realizoi prodhimtarinë më të madhe letrare të saj. Vepra e saj letrare përqendrohet kryesisht në dramaturgji, ku vihet në pah mënjanimi i gruas, liria e femrës, sidomos liria politike dhe konflikti i saj në rolet e ndryshme të shoqërisë meksikane. Ngjashmëria midis shkrimeve dhe jetës së saj bëjnë të quhet si një heroinë e vetë veprës së saj.

Disa kritikë e konsiderojnë si shkrimtaren e dytë më të rëndësishme meksikane, pas Sor Juana Inés de la Cruz. Jorge Luis Borges, Silvina Ocampo dhe Adolfo Bioy Casares në “Antologjinë e letërsisë fantastike” të vitit 1967 publikuan edhe një vepër teatrale të Elena Garros.

Elena Garro vdiq më 22 gusht 1998, nga një kancer në mushkëri. Ndërkohë Octavio Paz kishte vdekur më 19 prill të po atij viti.

ELENA GARRO

TEOLOGJIA

Siç e dini, unë kam udhëtuar shumë. Kështu që kam arritur të vërtetoj se udhëtimi, pak a shumë, është i rremë, se nuk ka asgjë të re nën këtë diell, se gjithçka është një dhe e njëjtë, etj., ama, në mënyrë paradoksale, mësova se dëshpërimi për të gjetur të papritura dhe gjëra të reja është i pathemeltë: në të vërtetë bota është e pashtershme. 

Si provë për çfarë po them mjafton të kujtoj si shtegtare se çfarë besimi gjeta në Azinë e Vogël, në një fshat barinjsh, të cilët ishin pasardhës të Mbretërisë së lashtë të Magjistarëve dhe që visheshin me lëkura dhensh. Këta njerëz besonin tek ëndrrat. «Menjëherë pasi të zë gjumi –thoshin ata – varet se ç’ke bërë gjatë ditës, për të shkuar në parajsë apo në ferr». 

Nëse dikush do t’u thoshte: «Kurrë nuk kam parë ndonjë njeri që të eci gjatë gjumit, ashtu siç e dija edhe unë nga përvoja ime, sepse njeriu qëndron i shtrirë, derisa të zgjohet», ata do t’i përgjigjeshin: «Këmbëngulja për të mos besuar asgjë të bën të harrosh edhe natën tënde - a ka njeri që nuk i ka provuar ëndrrat e bukura dhe ëndrrat e tmerrshme? – dhe të ngatërrosh gjumin me vdekjen. Secili është dëshmitar se për ëndërrimtarin ka tjetër jetë; për të vdekurit dëshmitari është ndryshe: ata qëndrojnë atje dhe kthehen në pluhur».

Përktheu Bajram Karabolli

EMISIONET