Oboti sërish nën ujë, lëvizet vetëm me varka

Oboti sërish nën ujë, lëvizet vetëm me varka

Reshjet e shiut dhe rinisja e shkarkimeve nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës, përkeqësuan situatën e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Fshati Obot u izolua sërish, ku banorët nxorën varkat si të vetmen mundësi për të lëvizur. Në ndihmë kanë forcat e ushtrisë, por banorët shprehen kritikë me institucionet e tjera të shtetit. Me rreth 1850 hektarë tokë nën ujë, Bashkia e Shkodrës vijon të kërkojë shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Banorët e Obotit duken të dorëzuar përballë ujit. Situata ndryshon brenda pak orësh, ndaj këtë të martë ata e gjetën veten sërish të izoluar, pasi rezulton se shkarkimet nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës janë dyfishuar ndërsa kanë vijuar dhe reshjet e shiut.

Makinat e ushtrisë janë fikur në hyrje të rrugës, ndërkohë varkat janë i vetmi mjet që siguron lëvizjen e banorëve.

Shkarkimet nga Hidrocentrali i Vau Dejësit zyrtarisht thuhet se janë në kuotën e 800 meter/kub për sekondë në krahasim me 400 metër/kub për sekondë që ishin një ditë më parë.

Në zonën e Nënshkodrës uji po u afrohet banesave, ndërsa varkat e ushtrisë dhe banorëve qëndrojnë në gatishmëri.

Banorët po e humbin edhe qetësinë që i karakterizon, ndërsa kërkojnë më shumë lëvizje nga ushtria, si dhe furnizime me ushqime për gjënë e gjallë, pasi rezervat kanë mbaruar.

Banori: Apeli është, të merren masa që të na dëmshpërblejnë. Shkurt muhabeti nuk jetohet më këtu.

E moshuara Vebije Brahimi i kërkon kryeministrit Edi Rama që të shohë nga afër situatën.

Brahimi: I bëj thirrje Edi Ramës të na vijë mbrapa.

Ndërsa kreu i njësisë administrative, Arben Ceni, është kritik me të gjitha strukturat e shtetit me përjashtim të ushtrisë, pasi siç thotë ai, asnjë nuk po i përgjigjet situatës që po agravon.

Arben Ceni: Është shumë e domosdoshme sepse strukturat duhet të operojnë shumë më shpejt.

1850 hektarë tokë janë të përmbytura në Nënshkoder, ndërsa bashkia e këtij qyteti vijon të përsërisë thirrjen për shpallje të pjesshme të gjendjes së emergjences.

EMISIONET