Studentët e Universiteteve publike në të gjithë vendin bojkotuan mësimin dhe protestuan për uljen e tarifave të studimit dhe provimeve të mbartura.

Mijëra studentë të Universiteteve publike në Elbasan, Korçë, Durrës, Shkodër e Vlorë protestuan këtë të enjte, krahas atyre në Tiranë për uljen e tarifave të studimit dhe provimeve të mbartura.

Me pankarta e thirrje kërkuan plotësimin e kërkesave.

Studentët e Universitetit të Elbasanit shprehen indinjatë për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, që sipas tyre i quajti ngelësa, ndërsa e cilësuan turp për qeverinë nëpërkëmbjen që u bëhet studentëve.

"Mundohen që gjithmonë tu bien në qafë të ardhmes së vendit tonë".

Për të dytën ditë, në krah kishin edhe deputetin demokrat Luçiano Boçi, por ai e sqaroi se ishte aty si pedagog dhe jo si politikan.

Me këtë tabelë studentët e Korçës, bënë analogji me lëvizjen historike të studentëve të dhjetorit 1990, në rast se nuk u plotësohen kërkesat, edhe pse Universiteti "Fan Noli" ka tarifat më të ulëta në vend.

"Universiteti i Korçës si Universitet publik i cakton vetë tarifat e shkollimit dhe ka ndër tarifat më të ulëta në të gjitha Universitetet publike në Republikën e Shqipërisë".

Në Shkodër, anëtarja e Këshillit Studentor Melisa Braçi u dorëhoq, pasi hodhi akuzua për intimidim nga rektori Adem Bekteshi.

Por pavarësisht kësaj, një protestë simbolike u mbajt.

Melisa Braçi: I themi që ne nuk mund të frikësohemi nga asgjë.

"Ne nuk jemi bankomat që të nxjerrim lekë sa herë duan ata. Në gjithë botën ndërmerren reforma, ndërsa këtu duan të na marrin shpirtin. Çdo ditë derisa të plotësohen kushtet duhet të jemi këtu dhe të kërkojmë të drejtat tona", tha një tjetër student.

Kur studenët e Vlorës arritën të organizohen për protestë, ministrja Nikolla lajmëroi tërheqjen e qeverisë, ndaj atyre u mbeti vetëm të festojnë fitoren.

Përjashtim bënë studentët e Gjirokastrës, ku nuk pati organizime për protestë.


/Ora News.tv/