Shumë shpejt në kurrikulat shkollore pritet të përfshihen disa njohuri të përgjithshme mbi tregjet nën mbikëqyrje.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi gjatë një leksioni të hapur me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.

Në fjalën e tij,  Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te publiku është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit.

"Rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar sjell një mbrojtje më të mirë të konsumatorëve.  Të gjitha vendimet e marra vitin e kaluar, por edhe ato gjatë këtij viti kanë qënë në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit."

Koçi i inkurajoi studentët të bëhen pjesë aktive e Konferencës së parë Kombëtare me titull: “Problemet dhe sfidat e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësia e edukimit financiar”.

Ata mund të kontribuojnë me punime të ndryshme për çështje që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.

/Ora News.tv/