Mes miliarda yjesh në qiell, Shqipëria do të ketë një yll të çertifikuar me emrin e vetë shqiptarëve.

Kështu ka lajmëruar nëpërmjet një postimi në facebook, fizikantja Mimoza Hafizi. Nëpërmjet një fotoje Hafizi ka treguar “Yllin e Shqipërisë”, përmes teleskopit të grupit të saj.

Postimi i Mimoza e Hafizit: 

Ylli i Shqipërisë është treguar me shigjetë në këtë foto, marrë përmes teleskopit tonë.

Ç’është ky yll?

Këto muaj po zhvillohet një fushatë botërore për emërtimin e disa planeteve jashtë Sistemit Diellor dhe yjeve, rrotull të cilave ato sillen. Çdo shteti i është vënë në dispozicion një i tillë. Ky që shfaqet në foto, me emrin teknik HD 82886, i është lënë Shqipërisë.

Ylli ndodhet 416 vite-dritë larg nesh, në konstelacionin e Luanit të Vogël. Rreth tij sillet një planet qindra herë më i madh se Toka, pra ngjan me Jupiterin, planetin gjigand të Sistemit Diellor. Planeti është zbuluar në vitin 2011.

Ne shqiptarët, pra, kemi të drejtë t’i japim emrat që duam yllit HD 82886 dhe planetit rrotull tij. Të jenë dy emra të lidhur me kulturën, historinë apo edhe gjeografinë e vendit tonë.

Bashkë me një grup studentësh të fizikës, dëshërojmë të nxisim një proces, ku të marrë pjesë çdo shqiptar që ka ide e dëshëron të kontribojë.

Ndihma e parë e secilit do të ishte përhapja e këtij informacioni.

Nëse ju pëlqen të jeni pjesë e procesit, mund të na kontaktoni në adresën

[email protected]

Më shumë informacion gjeni në http://www.nameexoworlds.iau.org

/Ora News.tv/