Mjekët e spitalit Bambino Gesu' të Romës shpëtuan jetën e një vajze tre vjeçare, duke i vënë një zemër artificiale.

Vogëlushja ishte në listë pritjeje për transplantin e zemrës. 

Kushtet e saj shëndetësore paraqiten të mira pas operacionit më 2 shkurt.

Kjo është ndërhyrja e dytë në botë, pas asaj të 2012-s.

Mini-zemra u realizua me fondet e një programi amerikan, qëllimi i të cilit ishte krijimi i një pajisjeje në miniaturë për fëmijët e vegjël, nën 25 kile, të cilët ishin në listë-pritjeje për transplantin e zemrës.

"Programi PumpKIN u inaugurua në 2004-n për të finacuar zhvillimin e Jarvik 2015 dhe pajisjeve të tjera të ngjashme, pasi fëmijët me pamjaftueshmëri kardiake kishin aso kohe një numër vertet të reduktuar opsionesh të cilat mund t'i lejonin të qëndronin në jetë" shpjegoi Timothy Baldwin, përgjegjës i projektit.

"Kjo është e vërtetë akoma edhe sot- shtoi- Duke patur parasysh të gjitha sforcimet për të arritur deri në këtë pikë, suksesi i implantimit të parë të kryer në spitalin e Romës është për ne shumë domethënës. Ndërkohë që përgatitemi për eksperimentin këtu në Amerikë, kjo eksperiencë, do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se si funksionon pajisja."

Në 14 vjet të projektit PumpKIN, Fda ka dhënë vetëm dy autorizime për përdorimin e pompës në miniaturë.

I pari , në prill të 2012s, kishte të bënte me prototipin e Infant Jarvik. Kjo leje i dha mundësinë të njëjtit spital në Romë të shpëtonte jetën e një fëmije 16 muajsh, i cili ishte në listën e pritjes për transplant.

Leja e dytë u dha në fillimin e këtij viti dhe i shpëtoi jetën pacientes së vogël 3 vjeçare, shtruar në spital që në korrik të 2017s në pavionin e kirurgjisë në Spital.

/Ora News.tv/