Pa kokë dhe këmbë, deti nxjerr në breg breshkën e ngordhur 50 kilogramëshe

Një breshkë deti e llojit "Dermochelys coriacea" është gjetur e ngordhur mëngjesin e kësaj të enjteje në plazhin e vjetër në Vlorë.

Breshka afro 50 kilogram ka dalë në breg të detit e ngordhur si rrjedhojë e kushteve atmosferike të rënduara si dhe erës së fortë që fryn në drejtimin jugor.

Breshka është gjendur e ngordhur, pa kokë si edhe pa këmbë, çka tregon se ka kohë e ngordhur në det dhe kanë qenë pikërisht rrymat e forta të detit, të cilat e kanë nxjerrë këtë breshkë në det.

Breshka është gjendur e ngordhur në orët e para të mëngjesit nga një peshkatar i zonës.

Vlen të theksohet se kjo është breshka e katërt për këto dy muaj që gjendet e ngordhur në brigjet e bregdetit të Vlorës.

Breshka kurrizlëkurore siç quhet ndryshe dhe shumë e veçantë zakonisht nuk gjendet në Adriatik, megjithatë ka raste kur ato vërehen sidomos në Adriatikun jugor.

Një prej problematikave të mëdha që i detyron ato të dalin në breg është ndotja që i bëhet detit.

Bashkimi i ujërave të zeza të kanaleve me ujërat e detit por edhe përqëndrimi i lartë i leshterikëve

i bën të tilla breshka të humbasin orientimin e tyre dhe të dalin në cekëtinë, ku edhe ngordhin.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë ka marrë masat për largimin e breshkës nga bregu i detit për të shmangur ndotjen e mjedisit.

Breshkat e detit janë krijesat më të rrezikuara për tu zhdukur në vendin tonë.


EMISIONET