Një shpjegim i rastit Albin Kurti me klishenë e Fatos Nanos

Një shpjegim i rastit Albin Kurti me klishenë e Fatos Nanos

Në përgjithësi historitë shqiptare që të kuptohen, duan edhe sensin e humorit. Një të tillë do edhe shpjegimi i rastit të “Vetvendosjes”.

Me pak fjalë historia është kjo: Albin Kurti formon një parti që e quan “Vetvendosja”. Si çdo parti, që të mbahet në këmbë ka nevojë për një minimum parash dhe për këtë themeluesi shet shtëpinë e tij. Pas viteve të tëra aksioni politik ia del të jetë, forca e parë ne vend. Themeluesit nuk i mungon karizma, guximi për të mbrojtur idetë e veta (e quan veten të majtë në një popullsi ku e majta identifikohet me sllavët), ka fantazi në aksionin politik dhe atë të rrugës, dhe mbi të gjitha nuhatje për të zgjedhur bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë dhunti të spikatura, por duhet Albini që ti verë në pah.

Përpara ca vitesh Albini jep dorëheqjen, sepse e kishte kusht në statut që nuk duhet të zgjidhet më shumë se dy herë rresht. Kjo nuk përjashtonte që pas një periudhe pushimi, të rikthehej. Nuk mund të përjashtohet as përllogaritja e tij në gjetjen e zëvendësuesit, i cili nuk ishte në lartësinë e tij. Visar Ymeri ka një qasje publike të këndshme, por më shumë të një profesori universiteti dhe jo të një revolucionari që kërkon përmbysjen e kastës së oligarkëve dhe bashkimin e trojeve. Por mesa duket i ka pëlqyer posti i kryetarit dhe bashkë me të edhe disa njerëzve që e ndjekin. Mirëpo Albini është shumë herët që të dalë në pension politik. Dhe kështu kërkon kandidimin. Rivalët duke e ditur që anëtarësia e pëlqen, madje nuk e ka parë kurrë si të dorëhequr, e dinë që ai fiton. Ndaj përpiqen ta pengojnë. Mënyra dhe kleçkat pak rëndësi kanë, pasi ndër shqiptarë nuk vlejnë fort rregullat. Mund edhe të kenë pasur të drejtë. Por aq më pak ligjet vlejnë në politikë. E ca më shumë në atë shqiptare ku partia është e liderit. Dhe ca më pak vlejnë në një parti që të vetmen traditë ka udhëheqjen nga Albini. Dhe ky, përpiqet të ndalojë përçarjen. E di se në opozitë nuk e ke luksin të përçahesh. Por është i vendosur të rikthehet. Nuk dëgjon as këshillat e gazetarëve shqiptarë që e këshillonin të ruante dhe kultivonte fraksionet, madje për hir të tyre as mos të kandidonte. Gjithsesi ai kandidon dhe rifiton.

Vetëm në Shqipëri ndodhi që pasi kryetari i socialistëve u fut në burg, të vetët donin ta linin brenda dhe të merrnin partinë. Dhe Fatos Nano, megjithëse e kishte të falur Partinë Socialiste, nuk e lëshoi.

Si mund ta bënte Albini që të falte krijesën e tij? Mbase disa donin që të mbeste në burg, ta bënin flamur dhe të vinin në pushtet me emrin e tij. Kanë kohë si për këtë edhe të provojnë sesa demokratike është “Vetvendosja” dhe sa demokrat kryetari i saj, Por kjo provohet pasi partia të jetë kosoliduar, të ketë ardhur në pushtet dhe humbur atë, pra të ketë plotësuar ciklin e maturimit. Tani është ende herët dhe ajo parti i takon Albinit ta drejtojë. Edhe për ca kohë./dritare.net/

EMISIONET