Numri i njerëzve në të gjithë botën që vdesin nga vetëvrasja është në rënie. Por sipas studimit të OBSH një person vret veten në çdo 40 sekonda.

OBSH tha se vendet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar vetëvrasjet.

Nga 2010 deri në 2016, shkalla globale e vetëvrasjeve u ul me 9.8%, tha organizata e shëndetësisë.

I vetmi vend ku kishte rritje të vetëvrasjeve ishte Amerika, raporton CNN.

"Çdo vdekje është tragjedi për familjen, shokët, miqtë dhe kolegët. Megjithatë, vetëvrasjet janë të parandalueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të implementojmë strategji për të provuar parandalimin e vetëvrasjeve në programet kombëtare të shëndetit dhe arsimit,"-tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH tha që rreth 800.000 njerëz vdesin nga vetëvrasjet çdo vit, më shumë sesa ata që humbin jetën nga malaria, kanceri i gjirit, lufta dhe vrasjet, duke e konsideruar një "çështje serioze globale të shëndetit publik". Deri tani sipas OBSH vetëm 38 vende kanë strategji për parandalimin e vetëvrasjeve.

Shkalla e vetëvrasjeve ishte më e lartë se mesatarja globale në Afrikë, Evropë dhe Azinë Juglindore.

Ndërsa 79% e vetëvrasjeve në botë ndodhën në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vendet me të ardhura të larta kishin nivelin më të lartë, 11.5 për 100.000 njerëz.

"Gati tre herë më shumë burra e gra vetëvriten në vendet me të ardhura më të larta, në krahasim me vendet me të ardhura më të ulta dhe të mesme ku shkalla e vetëvrasjeve është më e barabartë,"-thuhet në deklaratën e OBSH. "Vetëvrasja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, pas aksidenteve rrugore."

/Ora News.tv/