Një milion kundër Brexit dhe një "komplot" ndaj Theresa May

Një milion kundër Brexit dhe një "komplot" ndaj Theresa

Një numër rekord prej mbi 1 milionë qytetarësh anglezë i kërkuan ligjvënësve të tyre mbajtjen e një tjetër referendumi për çështjen e daljes së vendit nga Bashkimi Europian. Vendi përballet më shumë se kurrë me variantin e një daljeje pa marrëveshje në datën 12 prill. Deputetë por edhe ministra të kabinetit raportohet se po komplotojnë për të kërkuar zëvendësimin e kryeministres së vendit, Theresa May.

Mbi 1 milionë qytetarë zbarkuan të shtunën në rrugët kryesore të Londrës për të kërkuar një referendum të dytë kundër "Brexit".

Itinerari i manifestuesve nisi nga harku monumental në qendër të qytetit për të përfunduar përpara godinës së parlamentit britanik.

Sipas organizatorëve të lëvizjes, pjesëmarrja ishte nga më masivet e këtij shekulli, pas asaj të vitit 2003 për kazën kundër luftës në Irak.

Marshuesit mbanin në duar flamuj të Bashkimit Europian dhe pankarta që çmonin raportet afatgjata të Britanisë së Madhe me Europën kontinentale.

Disa figura të njohura politike nga opozita, si edhe kryebashkiaku i Londrës, iu bashkuan protestës duke denoncuar përbuzjen e zërit të qytetarëve dhe duke ndërgjegjësuar për pasojat katastrofike që mund të sjellë largimi i vendit nga blloku europian.

Manifestimi erdhi në frymën e një peticioni që deri tani është firmosur nga një numër rekord prej 5 milionë qytetarësh në vetëm katër ditë, të cilët apelojnë ligjvënësit anglezë të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë për anulimin e Brexit.

Në qarqet mediatike britanike tashmë po qarkullojnë lajme se kryeministrja e vendit, Theresa May, po shtyhet nga ministrat dhe anëtarë të partisë së saj që të japë dorëheqjen dhe t'i hapë vendin një kryeministri provizor për të vazhduar negociatat me Bashkimin Europian.

Marrëveshja e kundërshtuar për Brexit pritet të hidhet sërish në votim gjatë ditëve në vijim, ku do të vendoset nëse vendi do të dalë nga BE pa mirëkuptim në datën 12 prill apo me konsensus në datën 22 maj 2019.


EMISIONET